Gjykata e shpall të pafajshëm rojën e pyllit
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuza për marrje ryshfeti, rojën e pyllit, Perica Niqiq.
Një vendim i tillë është marrë të enjten, nga trupi gjykues në përbërje nga gjyqtarët, Kujtim Krasniqi, Nushe Kuka-Mekaj dhe Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Niqiq akuzohej se kishte marr 50 euro ryshfet nga i dëmtuari Sabri Rashiti, për të mos i shqiptuar fletëparaqitjen për bartje të druve pa leje.
Mirëpo me rastin e shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi tha se nuk është arritur të provohet se Niqiq ka kryer veprën penale të marrje së ryshfetit për çka akuzohej nga ana e prokurorisë.
Arsyetimi i plotë për lirimin e Niqiqit nga akuza, gjyqtari Krasniqi tha se do t’i dorëzohet palëve me shkrim, kurse, palët e pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Sa i përket shpenzimeve procedurale, gjyqtari Krasniqi tha se të njëjtat bien në barrën e gjykatës.
Ndryshe, para se të shpallej aktgjykimi, prokurorja e rastit, Merrushe Llugiqi dhe i akuzuari Niqiq dhanë edhe fjalët e tyre përfundimtare.
Sipas prokurores Llugiqi, nga administrimi i provave dhe dëshmive që është bërë gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor dhe në të gjitha seancat e mbajtura, është ardhur në përfundim se në mënyrë të plotë është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit, në kohë, vend dhe mënyrë, ashtu siç është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës.
“Deri te një gjendje e tillë faktike, është arritur në bazë të dëmtuarit, Sabri Rashiti, nga fshati Verbicë, i cili ka dhënë deklaratë në polici, prokurori dhe në shqyrtim gjyqësor. I njëjti ka dëshmuar bindshëm se i akuzuari përmes Liridon Hasanit ia ka kërkuar 50 euro, për mos me i shqiptuar fletëparaqitje për bartje të druve pa leje”, tha në fjalën e saj prokurorja Llugiqi.
Po ashtu, sipas prokurores, gjendje faktike është vërtetuar edhe nga provat tjera materiale, të administruara gjatë seancave gjyqësore, sikurse që është procesverbali i dëshmisë së provës, i datës 10 tetor 2016, me të cilën provohet se kartëmonedhën prej 50 euro e kishte sekuestruar Zijadin Hyseni, polic në stacion policor Lipjan dhe e cila kartëmonedhë i është gjetur sipas prokurores, djalit të akuzuarit, Gligorie Niqiq.
Sa i përket mbrojtjes së dhënë nga i akuzuari gjatë shqyrtimit gjyqësor, prokurorja tha se të njëjtës nuk duhet falur besimi pasi që i akuzuari ka tentuar t’i shmanget përgjegjësisë penale për veprimet e tij të kryera në kundërshtim me ligjin.
“Kërkoj të dënohet sipas ligjit dhe të dëmtuarit t’i kthehet kartëmonedha e sekuestruar”, tha në fund të fjalës së saj përfundimtare, prokurorja Llugiqi.
Në anën tjetër, i akuzuari Niqiq tha se nuk qëndrojnë provat të cilat përmendet në aktakuzë, duke shtuar se edhe vet dëshmitari kishte deklaruar se nuk i kishte dhënë para të akuzuarit.
“..Ndërsa djalit kanë mundur t’i japin çfarëdo, edhe drogë edhe armë, nëse kanë dashur që të më japin diçka, është dashur që të më japin mua. Këta persona që përmenden në aktakuzë kanë dhënë edhe deklarata me shkrim për aq sa jam unë në dijeni. Ua lë juve që të vendosni. Nuk ndihem fajtor”, deklaroi i akuzuari Niqiq.
Ndryshe, kjo çështje penale më herët ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi, por pas avancimit të tij si gjykatës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, kjo lëndë tashmë i është ndarë në punë gjykatësit Kujtim Krasniqi.
Ndryshe, kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi, me një vendim të 4 qershorit 2018, kishte shpallur të papranueshme provat e siguruara nga ana e Prokurorisë me anë të masave të fshehta ndaj Perica Niqiq, pasi kishte konsideruar se janë marrë pa urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake.
Për të vërtetuar kryerjen e veprës penale, prokuroria kishte bërë simulimin e veprës penale të korrupsionit, përderisa një polic me rroba civile kishte marrë pjesë kur i dëmtuari Sabit Rashiti, i kishte dorëzuar paratë të akuzuarit Niqiq.
Mirëpo, sipas këtij vendimi, nga shkresat e lëndës rezulton se paratë për të cilat tani i dëmtuari Sabri Rashiti pretendon se i ka kërkuar i akuzuari Perica Niqiq, i ishin dhënë djalit të të akuzuarit, i cili i kishte 17 vjeç, e jo personalisht të akuzuarit, edhe pse prokurori kujdestar kishte lejuar dhe kishte dhënë udhëzime që këto para në prezencë të një polici të veshur me rroba civile t’i jepen personalisht të pandehurit Perica Niqiq.
Në vendim thuhet se sipas nenit 91 të Kodit të Procedurës Penale, Prokurori i Shtetit mund të urdhërojë përkohësisht masën e simulimit të një vepre penale të korrupsionit vetëm në procedurë penale urgjente, nëse pritja do të rrezikonte sigurinë e hetimeve, dhe se urdhri i përkohshëm i prokurorit të shtetit pushon të ketë efekt nëse nuk konfirmohet me shkrim nga gjykatësi i procedurës paraprake brenda tri dite nga lëshimi i tij.
Kurse, sipas vendimit, në këtë çështje penale prokurori nuk ka paraqitur te gjykatësi i procedurës paraprake kërkesë për konfirmim të urdhrit gojor për masa teknike dhe të vëzhgimit, e që në realitet këto masa ishin simulim i veprës penale të korrupsionit dhe për pasojë urdhëresa gojore konsiderohet e pa ligjshme.
“Konform nenit 97 të Kodit të Procedurës Penale prova e marrë nëpërmes masave të fshehta teknike dhe të vëzhgimit është e papranueshme nëse urdhri për masën dhe zbatimin e saj është i kundërligjshëm”, thuhet në vendim.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 28 shkurt 2018, i akuzuari Niqiq, kishte thënë se nuk e ndien veten fajtor për veprën penale që i vihet në barrë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 15 dhjetor 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Perica Niqiq, me pretendimin se i njëjti në cilësinë e rojës së pyllit në Drejtorinë e Pylltarisë në Lipjan, me qëllim qe vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka marrë ryshfet para të gatshme në shumë prej 50 euro, nga i dëmtuari Sabri Rashiti, për të mos i shqiptuar fletëparaqitjen për bartje të druve pa leje.
Sipas aktakuzës, i dëmtuari Sabri Rashiti kishte shkuar tek shtëpia e të pandehurit Perica Niqiq, të cilin e kërkonte për t’ia dhënë 50 euro, mirëpo në atë moment del djali i tij G.N, i cili i thotë të dëmtuarit se “më ka thënë babai dil e merri paret”, ashtu që, i dëmtuari Sabri Rashiti ia jep 50 euro, të cilat G.N. i merr paratë dhe i fut në xhep.
Sipas aktakuzës, aty një polic që ishte me rroba civile, gjatë kontrollimit të tij ia gjen 50 eurot e lartcekura, ndërsa pasi e thirrin në telefon, pas pak vije edhe i pandehuri Niqiq, të cilët janë shoqëruar për në stacion policor. /BetimipërDrejtësi























