Apeli vërteton dënimin ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Malishevë
Sharr Travel

Apeli vërteton dënimin ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Malishevë

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, me anë të së cilit ish-shefi i Shërbimeve Publike në Malishevë, Ismet Mazreku, ishte dënuar me 3,400 euro gjobë.

Sipas aktakuzës, Mazreku po akuzohej se me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë vepër, Gjykata Themelore në Gjakovë më 20 janar të këtij viti e kishte dënuar Mazrekun me gjashtë muaj burgim, i cili më pas me pëlqimin e të akuzuarit ishte zëvendësuar në dënim me gjobë, në shumën prej 3,400 eurosh.

Ankesë ndaj këtij aktgjykimi kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjakovë dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Emrush Kastrati.

Mbrojtësi i të akuzuari Mazreku, avokati Kastrati kishte kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet ose çështja të kthehej në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike.

Ndërsa Prokuroria në Gjakovë kishte kërkuar që ndaj të akuzuarit Mazreku të shqiptohej një dënim më i lartë me burgim efektiv.

Sipas arsyetimit të aktgjykimit të Apelit, vendimi i themelores nuk është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

“Gjykata e Apelit, duke i vlerësuar pretendimet ankimuara të mbrojtësit të akuzuarit, por edhe sipas detyrës zyrtare, vlerëson aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kishin me kushtëzuar anulimin e aktgjykimit, aktgjykimi i ankimuar nuk ka kundërthënie në mes të dispozitivit dhe arsyetimit të aktgjykimit, aktgjykimi është hartuar në pajtim me dispozitat e nenit 370 par. 7 dhe 8 të KPRK-së, në arsyetim janë dhënë arsyet e duhura mbi të gjitha faktet vendimtare, të cilat janë vërtetuar drejt dhe janë arsyetuar në mënyrë të plotë.”, thuhet në arsyetim të Apelit.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë se i akuzuari Ismet Mazreku e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej.

“Kjo Gjykatë vlerëson, se gjykata e shkallës se pare drejtë ka vërtetuar, se i akuzuari I.M. në cilësinë e shefit të Drejtorisë për shërbime publike të Komunës se Malishevës, me një përvojë në atë lëmi, kishte lëshuar fatura, gjëja se ka blerë kabllin elektrik për nevoja të fshatit Gajrak, sipas kontratës me numër 74, e nënshkruar nga zyra e prokurimit publik me nr. 101, të datës 26.10.2015, në mesë të Komunës së Malishevës, si dhe autoritetit kontraktues N.T.SH “NN” me seli në Malishevë, si furnizuese, e cila kontratë nuk ishte realizuar, nga Komuna e Malishevës, por punët në montimin kabllin elektrik në fshatin Gajrak ishin kryer nga KEDS-i, distributori në Gjakovë.”,  thuhet tutje në aktgjykim të Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 13 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ismet Mazreku, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 par.2 pika 2.1 lidhur me par.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi