Deklarohet i pafajshëm togeri i policisë
Sharr Travel

Deklarohet i pafajshëm togeri i policisë

Togeri i Stacionit Policor në Prishtinë, Ejup Mehani, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Mehani po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, toger, nuk kishte hapur rastin e kanosjes të paraqitur nga dy të dëmtuarit Remzi dhe Qazim Krasniqi.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dulina Hamiti, Mehani deklaroi se e ndjen veten absolutisht të pafajshëm.

Ndërkaq në pajtim me mbrojtësin e tij, avokatin Arlind Jupolli, i pandehuri hoqi dorë nga shqyrtimi i dytë, duke shtuar se do të paraqesë kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ejup Mehani akuzohet për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Mehani akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, toger–Udhëheqës i Njësisë Reaguese në Stacionin Policor Veriu në Prishtinë, ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke shfrytëzuar detyrën, me qëllim që të iu shkel të drejtat të dëmtuarve Qazim Krasniqi dhe Remzi Krasniqi.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri me dashje nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, ashtu që nuk kishte hapur rast lidhur me rastin e kanosjes, të cilën e kishte paraqitur i dëmtuari Remzi Krasniqi dhe Qazim Krasniqi.

Në aktakuzë thuhet se njëri nga të dëmtuarit kishte shkuar në stacionin policor për të lajmëruar rastin e kanosjes, të cilin iu kishte bërë personi Nazim Selimi.

Me këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi