Titull dhe rekord personal, ja përse ndeshja e sotme ka rëndësi për Zidanen
BKT
Sport

Titull dhe rekord personal, ja përse ndeshja e sotme ka rëndësi për Zidanen

Të dielën kundër Eibarit, trajneri francez Zinedin Zidane do të drejtojë ndeshjen e tij të 200-të si trajner i Realit të Madridit.

Do të jetë sfida e parë pas pezullimit të përkohshëm për shkak të virusit. Zidane, i cili është në etapën e tij të dytë si trajner i madrilenëve, është i treti në renditje për ndeshje si trajner pas Migel Munjozit me 605 dhe Visente del Boskes me 246 ndeshje.

Trajneri nga Marseille si lojtar luajti në 5 sezone me Realin e Madridit mes viteve 2001-2006, pastaj mori drejtimin e skuadrës së të rinjve në vitin 2014-2015.

Në 4 janarin e vitit 2016 mori drejtimin e skuadrës së parë pas largimit të Rafa Benitezit. Pas ecurisë së suksesshme në Ligën e Kampioneve, në majin e vitit 2018 deklaroi se do të linte stolin e madrilenëve.

Por “divorci” zgjati shumë pak, sepse Zizu u rikthye sërish në stolin e  Realit në 11 marsin e vitit 2019. Në këtë aventurë ka arritur të fitojë 10 tituj, mes tyre 3 Champions radhazi në vitet 2016-2017-2018.

Ai gjithashtu ka fituar dy Botërorë Klubesh, 2 Superkupa Europe, 1 La Liga dhe dy Superkupa Spanje, njërën prej tyre në janar.

Sipas të dhënave nga Reali i Madridit, ai ka qenë trajner në 134 ndeshje në La Liga, 40 në Champions, 15 në Kupën e Mbretit, 4 në Botërorët e Klubeve, 4 në Superkupën e Spanjës dhe 2 në Superkupën e Europës.

Ai ka arritur të fitojë 131 ndeshje, ka barazuar 42 dhe ka humbur 26. Ndeshja ndaj Eibarit do të jetë shumë e rëndësishme për trajnerin francez, i cili duhet ta rinisë rrugëtimin e tij në mënyrë pozitive për të tentuar të fitojë titullin kampion në Spanjë.

Madrilenët e humbën vendin e parë në kampionat pas ecurisë jo të mirë në javët e fundit, por beson se këto pushime i kanë bërë mirë ekipit.