Supremja ia ulë dënimin me burgim të akuzuarit për vrasjen e vitit 2006
Sharr Travel

Supremja ia ulë dënimin me burgim të akuzuarit për vrasjen e vitit 2006

Pas më shumë se një dekade dilema të Gjykatës së Pejës dhe Apelit, nëse vrasja e tani të ndjerit Jakup Osmani ishte kryer me dashje, vetëmbrojtje apo në tejkalim të vetëmbrojtjes, Gjykata Supreme ka konstatuar se i akuzuari Kreshnik Haxhijaj, vrasjen në fjalë, e ka kryer në kushtet e tejkalimit të vetëmbrojtjes, për shkak të frikës nga sulmi i tani të ndjerit.

Gjykatat e Kosovës për rreth 13 vite nuk arritën të bien epilog përfundimtar, herë duke e liruar dhe herë e dënuar të pandehurin Haxhijaj, për vrasje të rëndë ndaj të ndjerit Osmanaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kreshnik Haxhijaj akuzohej se më 20 gusht 2006, rreth orës 5:45, në fshatin Bajle të Komunës së Istogut, në udhëkryqin rrugor Banjë-Istog-Pejë, më dashje dhe për motive të ulëta, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Jakup Osmanaj, si dhe kishte plagosur të dëmtuarin Ali Bicaj.

Lidhur më këtë vrasje, i akuzuari Haxhijaj ishte liruar nga aktakuza dy herë dhe atë nga ish-Gjykata e Qarkut më 2007 dhe nga Gjykata Themelore në Pejë në vitin 2015, sipas të cilave, i akuzuari kishte vepruar në rrethana të mbrojtjes së nevojshme kur kishte kryer vrasjen e viktimës Osmanaj, duke e përjashtuar nga përgjegjësia penale

Mirëpo, këto vendime ishin kthyer në rigjykim dhe rivendosje nga Gjykata e Apelit.

Pas kësaj, Gjykata Themelore në Pejë, më 23 nëntor 2018, të akuzuarin Haxhijaj e kishte shpallur fajtor për vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, duke e dënuar me pesë vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, pas shqyrtimit të ankesave të Prokurorisë Themelore në Pejë, Gjykata e Apelit kishte vendosur që të akuzuarit Haxhijaj t’i rritet dënimi në gjithsej 10 vjet burg.

Përveç dënimit me burgim, Apeli kishte bërë cilësimin juridik të veprës penale, sipas së cilës kishte vlerësuar se i akuzuari Haxhijaj nuk kishte kryer vrasjen nën kushtet e tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme, siç ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë.

Gjykata e Apelit, në aktgjykimin e 11 prillit të vitit 2019, kishte vlerësuar se arsyeja e ndryshimit të  aktgjykimit lidhur me dënimin dhe cilësimin juridik ishte se tani i akuzuari Haxhijaj, nuk kishte kryer veprën penale në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi që sipas Apelit, ai kishte shtënë 12 herë pas pushimit të sulmit nga ana e tani të ndjerit Jakup Osmanaj.

“I ndjeri ka shkrepur nga revolja “Sig Sauer” dhe nga dëshmia nr 12 vërtetohet se ka qenë shkrepja e fundit, ndërsa i akuzuari Haxhijaj ka shkrepur 12 plumba pas ndërprerjes së sulmit nga i ndjeri Jakup Osmanaj. I akuzuari ka vazhduar me shkrepjet dhe pas ndërprerjes së sulmit dhe shkrep gjithsej 12 plumba në drejtim të ndjerit, duke e goditur në pjesën ndër kafkorë ku është shkaktuar edhe vdekja e tani të ndjerit Osmanaj, ndërsa Ali Bicaj i ishin shkaktuar lëndime të lehta trupore”, thuhej në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Apeli kishte arsyetuar se ishte vërtetuar, gjatë rikonstruimit të vendit të ngjarjes dhe ekspertizës balistike, se gjatë shkëmbimit të zjarreve tani i ndjeri kishte shtënë shtatë herë me armë, ndërsa i akuzuari 12 herë.

“Gëzhoja e fundit është në revolen ‘Sig Sauer’ nga i ndjeri Jakup Osmanaj, e cila është edhe shkrepja e fundit, e kjo nënkupton se është ndërprerë sulmi ndaj të akuzuarit Kreshnik Haxhijaj nga ana e të ndjerit. Ndërsa, nga gëzhojat tjera të armës ‘Glock’, të cilën e ka poseduar i akuzuari Kreshnik Haxhijaj del konkludimi se i akuzuari pas ndërprerjes së të shtënave nga i ndjeri, i cili zbraz shtatë plumba dhe me ekspertizë është vërtetuar se në pistoletën e të ndjerit nuk ka mbet asnjë plumb, i akuzuari Kreshnik Haxhijaj edhe pas ndërprerjes së sulmit ka vazhduar duke shtënë 12 herë në drejtim të ndjerit Jakup”, thuhej në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas Apelit, i ndjerit Osmanaj pasi kishte ndaluar tani të akuzuarin për identifikim, i cili gjendej afër shtëpisë së tij, kishte dashur ta dorëzojë në polici, mirëpo i akuzuari Haxhijaj kur shkëputet nga i ndjeri dhe fillon të ikë me vrap, i ndjeri, sipas Apelit, kishte mundur ta privonte nga jeta po të kishte dashur, por qëllimi i tij kishte qenë që të akuzuarin ta dorëzojë në polici si person të panjohur.

Tutje, Apeli kishte arsyetuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë ishte i qartë, i kuptueshëm dhe në të ishin paraqitur të gjitha faktet vendimtare rreth argumentimit të kryerjes së veprës penale të mbështetshme në prova materiale.

Gjykata e Apelit, pas analizimit të pretendimeve të të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij lidhur me shkeljet esenciale të procedurës penale, kishte gjetur se të njëjtat janë të pabazuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo Gjykata Supreme, përmes vendimit të saj të 24 shkurtit 2020, ka aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë së të pandehurit, duke ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Pejës dhe Gjykatës së Apelit, sa i përket lartësisë së dënimit dhe cilësimit juridik të veprës penale.

Supremja ka konstatuar se i akuzuari Haxhijaj ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme për shkak të frikës dhe tronditjes, për të cilën vepër ia ka zvogëluar dënimin në 5 vjet burgim, prej 10 vjet burgim ndaj të cilit kishte shqiptuar Gjykata e Apelit.

Sipas Gjykatës Supreme, i dënuari Haxhijaj e kishte kryer vrasjen e të ndjerit nën kushtet e vetëmbrojtjes, për shkak të frikës të shkaktuar nga sulmi i tani të ndjerit

“Kjo gjykatë bazuar në faktet e vërtetuara konkludon se i dënuari ishte i sulmuar me armë dhe ky sulm ishte i një intensiteti të lartë për jetën e tij, mirëpo nga mo njëjti kishte qenë i dënuar në Kosovë për armëmbajtje pa leje dhe në Shqipëri për narkotikë.

menti i ndërprerjes së shtënave nga viktima ai është përgjegjës për tejkalim të mbrojtjes së nevojshme tejkalim ky që është berë për shkak të frikës së shkaktuar nga sulmi e jo frikës nga këmbëngulësia apo urrejtja nga kokëfortësia e të ndjerit ashtu siç ka konkluduar gjykata e shkallës së parë. Në fakt mbrojtja e të dënuarit se viktima kishte gjuajtur edhe një herë në të pas ndërprerjes së gjuajtjeve nuk argumentohet me prova materiale. Kurse, bazuar në mbrojtjen e tij dhe distancës në mes të shtënës së fundit nga viktima dhe vendit ku është goditur ai nga i dënuari, intenstetin e gjuajtjeve të mëhershme nga viktima edhe sipas bindjes së kësaj gjykate i dënuari e kishte kuptuar faktin se viktima i kishte ndërprerë të shtënat, por duke pas pasur parasysh intensitetin e sulmit ndaj tij ( viktima i kishte shkrepur të gjithë fishekët nga revolja e tij) për shkak të frikës nga sulmi që i ishte shkaktuar respektivisht mundësia reale për tu vrarë, ka vazhduar të gjuaj edhe katër herë radhazi në të ndjerin duke e goditur për vdekje”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Ndërsa sa i përket uljes së dënimit në 5 vjet burgim, Supremja ka marrë parasysh rrethanën lehtësuese të shkallës së ulët të përgjegjësisë penale dhe rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale, kurse si rrethanë rënduese ka gjetur sjelljen provokuese ndaj viktimës nga ana e të pandehurit, pasi ishte gjendur afër shtëpisë së viktimës dy herë radhazi dhe se i njëjti kishte qenë i dënuar në Kosovë për armëmbajtje pa leje dhe në Shqipëri për narkotikë.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Kreshnik Haxhijaj akuzohej se më 20 gusht 2006, rreth orës 5:45, në fshatin Bajle të Komunës së Istogut, në udhëkryqin rrugor Banjë-Istog-Pejë, më dashje dhe për motive të ulëta, kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Jakup Osmanaj, si dhe ka plagosur të dëmtuarin Ali Bicaj.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhijaj derisa ishte duke pritur në pusin ku ishte i vendosur së bashku me të pandehurin Ardian Kolmaka, në orët e vona të 19 gushtit 2006, për kryerjen e një vrasje tjetër, kishte ardhur deri te një fjalosje mes tij dhe viktimës, ku pas asaj zënke mes tyre kishte pasur një shkëmbim me armë zjarri, viktima ishte qëlluar dy herë, një herë në kokë dhe një herë në kraharor, i cili nga plagët e marra kishte vdekur.

Tutje, sipas aktakuzës, plagë trupore kishte pësuar i dëmtuari Ali Bicaj, i cili gjatë atij shkëmbimi të zjarrit, nga ana e të pandehurit ishte qëlluar me një predhë në krahun e majtë.

Lidhur me këtë çështje penale, vetëm për të akuzuarin Kreshnik Haxhijaj dhe atë për dispozitivin e dytë të aktakuzës, Gjykata Themelore në Pejë, më 3 mars 2015, kishte shpallur aktgjykim lirues, për faktin se ekzistonin rrethana që e përjashtonin përgjegjësinë penale dhe nuk ishte provuar se ai kishte kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Sipas këtij aktgjykimi, gjykata kishte konstatuar se dhuna e përdorur nga Kreshnik Haxhijaj, nuk ishte në disproporcion me shkallën e rrezikut që paraqitej nga Jakup Osmanaj dhe prandaj ai nuk mund të gjendej fajtor për akuzën kundër tij.

Po ashtu, i akuzuari Kreshnik Haxhijaj ishte liruar nga akuzat edhe më parë, nga ish-Gjykata e Qarkut në Pejë, më 18 dhjetor 2007, për veprat penalë vrasje e rëndë dhe veprën penale bashkim kriminal për të kryer veprën e vrasjes së rëndë.

Lidhur me aktgjykimin lirues, Gjykata e Apelit më 19 qershor 2016, kishte miratuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, duke e kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë ishte i nxjerr me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 pika 6 dhe 7, që ndërlidheshin me vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi