Dënohen me kusht dy të akuzuarat që pranuan se i ishin bashkuar ISIS-it
Sharr Travel

Dënohen me kusht dy të akuzuarat që pranuan se i ishin bashkuar ISIS-it

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të hënën, i ka dënuar me nga dy vjet burgim me kusht dy të akuzuarat për pjesëmarrje në grupe terroriste, Laura Iseni dhe Arlinda Abazi.

Dënimi me burg ndaj të akuzuarave Iseni dhe Abazi nuk do të ekzekutohet, nëse ato nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda afatit prej dy viteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpallja e aktgjykimit është bërë nga gjykatësi Valon Kurtaj, pasi që dy të akuzuarat, në seancën fillestare të mbajtur më 11 qershor, ishin deklaruar fajtore për veprën që u vihej në barrë.

Krahas dënimit të kushtëzuar, të akuzuarat Iseni dhe Abazi janë obliguar që të përmbushin detyrimin, vizitë tek psikologu apo këshilluesi, për një periudhë dyvjeçare.

Për mbikëqyrjen e ekzekutimit të dënimit me kusht dhe detyrimit të shqiptuar ndaj tyre, është obliguar Shërbimi Sprovues i Kosovës.

Revokimi i dënimit me kusht, sipas gjykatësit Kurtaj, do të bëhet edhe në rast se të akuzuarat nuk mbajnë kontakte me Shërbimin Sprovues ose nuk përmbushin detyrimin me të cilat janë ngarkuar.

Të akuzuarat Iseni dhe Abazi janë liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale, me arsyetimin se kjo do ta rrezikonte ekzistencën e tyre materiale.

Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 15 dite nga pranimi i kopjes së tij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës e Kosovës më 19 maj 2020, të pandehurat akuzohen se me dashje kanë marr pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, ashtu që duke shkuar në Siri iu kanë bashkangjitur organizatës terroriste “ISIS”, me qëllim që duke luftuar të krijojnë shtetin islamik të Irakut dhe Levantit.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Iseni, me vëllain e bashkëshortit të saj dhe dy fëmijët e saj, si dhe e akuzuara tjetër Abazi, po ashtu me vëllain e bashkëshortit të saj, përmes aeroportit të Tiranës kanë shkuar fillimisht në Stamboll e pastaj në Siri.

Secila veç e veç, sipas prokurorisë, duke përdorur shumën e rregullt të të hollave nga Shteti Islamik, u kanë ofruar shërbime logjistike ushtarëve meshkuj të familjes.

Sipas aktakuzës, të akuzuarat kanë qëndruar në Siri deri sa organizata ISIS kishte pësuar disfatë dhe ishin detyruar të dorëzoheshin tek forcat kurde, e ku pastaj me ndihmën e ushtrisë amerikane ishin depërtuar në Kosovë.

Me këtë, Iseni dhe Abazi akuzohen se kanë kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi