Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen në lokalin “Bon Vivant"
Sharr Travel

Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen në lokalin “Bon Vivant"

Pas kthimit të rastit në rigjykim, janë deklaruar të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e rojës së lokalit “Bon Vivant”, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi.

Ata akuzohen se më 13 tetor të vitit 2014, në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, kishin privuar nga jeta rojën e këtij lokali, të ndjerin Rrahman Uka, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë, raporton “Betimi për Drejtësi”

Masar Gërdovcin, shkalla e parë, e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim për vrasjen në fjalë, kurse Krasniqi ishte dënuar me katër vjet e tre muaj burgim për pjesëmarrje në rrahje, pasi ndaj tij është bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.

Gjatë seancës së mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari Masar Gërdovci u deklarua i pafajshëm për veprën penale të vrasjes ,ndërkaq e pranoi fajësinë për veprën penale të armëmbajtjes.

I pafajshëm u deklarua edhe i akuzuari Sherif Krasniqi, i cili tha se e ndjen veten absolutisht të pafajshëm.

Pas deklarimit të tyre, palët dhanë fjalën e tyre hyrëse, gjatë së cilës prokurori i çështjes, Armend Hamiti, deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave do të vërtetohet përtej dyshimit mirë të bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale e cila u vihet në barrë.

Ndërkaq në fjalën e tij hyrëse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Armend Krsaniqi, deklaroi se e mbështet fjalën hyrëse të prokurorit, duke shtuar se pas administrimit të provave do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve si në aktakuzë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Masar Gërdovci, avokati Naim Rudar  deklaroi se mbështet deklarimin e klientit të tij, lidhur me aktakuzën që e ngarkon.

“Pasi që tani ka përfunduar një proces gjyqësor, janë dëgjuar shumë dëshmitarë, janë trajtuar shumë prova materiale, dhe asnjëri nga dëshmitarët e dëgjuar në gjykatë e të cilët kanë qenë drejtpërdrejtë pjesëmarrës në vendin ku ka ndodhur ngjaja, nuk kanë mundur të dëshmojnë se e kanë parë Masar Gërdovcin, duke e përdorur armen, saktësisht duke shkrepur në drejtim të të ndjerit”, tha Rudari.

Sipas tij, në shkresat e lëndës ka prova të cilat e shfajësojnë Gërdovcin për shkrepjen e armës.

“Edhe pse kemi një aktakuzë që në njëfarë mënyre e shfajëson të akuzuarin Gërdovci për shkrepje me armë, Gjykata e kishte shpallur fajtorë kinse ai është kryerës i veprës penale, e që tani ky aktgjykim është anuluar nga Gjykata e Apelit, me rekomandime konkrete se si të veprohet në rigjykim”, tha ai.

Sipas avokatit, përpos që dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë kondradiktore, ato kanë qenë edhe të koordinuara dhe se prova kryesore e këtij rasti thotë se kishte qenë arma, por që për të njëjtën gjatë gjykimit u kuptua se ishte asgjësuar, për arsyen e së cilës avokati tha se asnjëherë nuk u kuptua.

Ai propozoi që gjatë rigjykimit të dëgjohen dëshmitarët tjerë të pa dëgjuar gjatë gjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”

Rudari kërkoi nga gjykata lëshimin e një urdhërese për klientin e tij, për trajtim në Institutin e Mjeksisë Forenike, me arsyetimin se i njëjti ka pasur gjendje jo të mirë shëndetësore para ngjarjes por edhe pas ngjarjes.

Ndërkaq mbrojtësi me autorizim zëvendësues i të akuzuarit Krasniqi, avokati Florent Latifaj, deklaroi se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë nga avokati Haxhi Millaku gjatë gjykimit të parë.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Çerkini kërkoi nga avokati Rudari të jap relevancën për dëshmitarët, Fitim Polloshka dhe pronarin e kafiterisë “Bon Vivant”.

Ai tha se kërkon të dëgjohen të gjithë dëshmitarët e dëgjuar dhe të pa dëgjuar, gjatë këtij procesi, të dilet në vendin e ngjarjes dhe të nxirren provat e mbetura ende në vendin e ngjarjes dhe të dëgjohen policët pse nuk janë tërhequr diviaret e incizimeve.

Ai po ashtu propozoi të bëhet ekzaminimi psikiatrik për të mbrojturin e tij Masar Gërdovci, si dhe të procedohet ekspertiza private e cila e përjashton nga përgjegjësia e gjuajtjes.

Lidhur me këto propozime,  prokurori Hamiti, kërkoi sqarim lidhur me emrat e 22 dëshmitarëve.

Ndërkaq lidhur me ekspertimin privat, prokurori Hamiti deklaroi se kjo provë nuk është marr në përputhje me ligjin, kurse sa i përket propozimeve tjera, prokurori deklaroi se do t’i paraqesë në formë të shkruar.

Rudari po ashtu propozoi që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit apo e njëjta të zëvendësohet me ndonjë masë tjetër, duke arsyetuar se kanë pushuar shkaqet dhe arsyet e vazhdimit dhe caktimit të masës së paraburgimit, ku i njëjti tani është më shumë se 5 vite në paraburgim.

Ai shtoi se njëri i akuzuar tani gjendet në liri dhe besohet se nuk ka ndikim në procedurë penale, e meqenëse ekziston një aktakuzë me barrë të njëjtë dhe masa është e ndryshme, Rudari tha se nga pikëpamja e jashtme rezulton se tani mund të pre supozohet edhe vendimi përfundimtar lidhur me këtë çështje.

Prokurori lidhur me këtë propozim deklaroi se ia lë në dorë gjykatës, ndërkaq avokati Krasniqi deklaroi se e kundërshton propozimin për ndërprerjen e paraburgimit.

Gjykata mori aktvendim me të cilin refuzoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Gërdovci për ndërprerjen e masës së paraburgimit, me arsyetimin se ende ekzistojnë kushtet ligjore në bazë të së cilave është vazhduar masa e paraburgimit.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 7 korrik ora 9:30, pas pranimit të parashtresës së prokurorit Hamiti lidhur me propozimet e avokatit Rudari.

Ndryshe në seancën e parë pas kthimit në rigjykim, i akuzuari Masar Gërdovci kishte paraqitur kërkesë për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Suzana Çerkini dhe anëtares Shpresa Hasaj–Hyseni.

Kryetarja e trupit gjykues njoftoi palët se kërkesa është vlerësuar e pabazuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore, me arsyetimin se pala e cila ka paraqitur kërkesën nuk e ka dëshmuar se me çfarë rrethana do të vihej në dyshim paanshmëria e gjykatëses.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 janar 2019, Masar Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, pasi që e kishte shpallur fajtor për vrasjen që kishte ndodhur më 13 tetor të vitit 2014, në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, e ku ishte mbetur i vdekur roja i lokalit, Rrahman Uka.

Kurse i akuzuari tjetër në këtë rast, Sherif Krasniqi, ishte dënuar me katër vjet e tre muaj, pasi ishte shpallur fajtor për pjesëmarrje në rrahje, pasi ndaj tij është bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.

Kurse, Krasniqi ishte liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje, pasi që nuk është provuar se ai ka kryer një vepër të tillë penale.

Gërdovcit i ishte vazhduar edhe masa e paraburgimit, ndërsa të akuzuarit Sherif Krasniqi i ishte ndërprerë një masë e tillë.

Aktgjykimi ndaj tyre ishte shpallur nga gjykatësja Suzana Çerkini.

Pas ankesave të ushtruara në Gjykatën e Apelit, nga Prokuroria pala e dëmtuar dhe dy të akuzuarit, Gjykata e Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit,  ngase arsyet e dhëna në aktgjykim janë të paqarta dhe kundërthënëse në masë të konsiderueshme për faktet vendimtare ka kundërthënie të konsiderueshme ndërmjet asaj që paraqitet në arsyetimin e aktgjykimit lidhur me përmbajtjen e shkresave ose procesverbaleve për deklarimet e dhëna në procedurë.

Familja e të ndjerit përmes ankesës kishin kërkuar nga Apeli dënime maksimale për dy të akuzuarit, Gërdovcin dhe Krasniqin.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim, me pretendimin se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka bërë ricilësimin e veprës penale, duke kërkuar që ky rast të kthehet në rigjykim.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Sherif Krasninqi, avokati Haxhi Millaku kishte ushtruar ankesë mbi vendimin mbi dënim, me pretendimin se dënimi prej 4 vjet e 3 muaj ndaj të mbrojturit të tij, siç tha ai, e tejkalon maksimumin e dënimit të paraparë me Kodin Penal të Kosovës.

Sipas tij, gjykata e shkallës së parë i kishte shqiptuar dënim të mbrojturit të tij, aq kohë sa ai kishte qëndruar në paraburgim, e që sipas tij e tejkalon maksimumin e sanksionit penal të paraparë për veprën pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa, me pretendimin se i mbrojturi i tij nuk është kryerës i veprës penale, avokati Besnik Berisha kishte kërkuar kthimin e këtij rasti në rigjykim.

Kjo me arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimit të atakuar është i mangët, i paqartë dhe i pakuptueshëm.

Sipas tij, gjykata nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare, e edhe në rastet kur i ka dhënë, sipas tij, ato janë shumë konfuze.

Ndërsa, lidhur me armën e përdorur në këtë rast, gjykata kishte marrë vendim që e njëjta të konfiskohet, ndonëse në seancën paraprake, gjykatësja Çerkini kishte deklaruar se, përmes raportit nga Drejtoria Rajonale e Policisë, ishte njoftuar se arma në fjalë është shkatërruar, pas konstatimit se ajo nuk ka pasur përputhshmëri me rastet e hapura në laboratorin e armëve të zjarrit.

Ndryshe, lidhur me këtë rast emisioni “Betimi për Drejtësi”, më 26 janar 2019, kishte transmetuar një hulumtim, në të cilin ishte trajtuar çështja e asgjësimit të armës me të cilën dyshohej se ishte kryer vepra penale ende pa u ngritur aktakuza. (Shih linkun)

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kanë shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim”, dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.

Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rrahman Uka, të merret me të pandehurit që t’i largoi nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali pasi të njëjtit nuk kishin rezervim.

Sipas aktakuzës, sapo Uka largohet dhe hynë në sallën e lokalit, të pandehurit ngritën nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gerdovci, e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka, i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditjeve. Sipas aktakuzës, Uka me tu ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provoi nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me, ç’rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e marra ndërron jetë në QKUK. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi