Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për krime lufte në Krushë të Vogël
Sharr Travel

Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për krime lufte në Krushë të Vogël

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, është dhënë fjala përfundimtare në rastin e të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq.

Ai po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka kryer krime lufte kundër popullatës civile të fshatit Krushë e Vogël.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja speciale, Hajdari deklaroi se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, pasi sipas saj është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale më të cilën ngarkohet.

Prokuroja Hajdari tha se me 26 mars 1099 janë vrarë 103 civilë të pambrojtur dhe të pafajshëm, ku për t’i zhdukur gjurmët, kryerësit e këtij krimi monstruoz e kanë përdorur metodën e djegies së kufomave, duke djegur shtëpinë e familjes Batusha, bashkë me kufomat, sipas skenarit: nuk ka kufomë-nuk ka krim.

E njëjta shtoi se gjendja e përshkruar faktike u vërtetua në bazë të provave materiale të administruara në shqyrtim gjyqësor, si dhe nga dëshmia ë dëshmitarëve, në mesin e të cilëve edhe disa të mbijetuar nga masakra e ndodhur në shtëpinë e familjes Batusha.

Tutje prokurorja Hajdari deklaroi se përveç djegies së kufomave, një numër i tyre janë hedhur në lumin Drin dhe se sipas dëshmisë së dëshmitarëve okular, në këto aksione të forcave serbe  anë marrë pjesë edhe banorët serbë të Krushës së Vogël, në mesin e të cilëve edhe Darko Tasiq, si pjesëtar i policisë rezervë.

“Sipas dëshmitarëve okular vërtetohet se me kamionin e ngarkuar me trupa të njerëzve që ishin hedhur në lumin Drin, kishte ardhur i akuzuari Darko Tasiq, së bashku me anëtaret e tjerë të familjes, saktësisht me babain dhe vëllain. Sipas dëshmisë së tyre, i akuzuari më babain dhe vëllain e tij janë ndaluar tek lumi Drin, përballë fshatit Bregu i Drinit, e kanë futur kamionin në ujë dhe kanë shtënë me armë automatike në brendinë e kamionit, ku janë dëgjuar edhe britma dhe pastaj ia kanë vënë flakën kamionit”, deklaroi prokurorja Hajdari.

Ajo më tej shtoi se, fakti se i akuzuari Tasiq ishte pjesëtar i njësisë rezervë policore, vërtetohet nga dëshmia e dëshmitarëve të cilët e kanë parë të veshur me uniformë policore dhe të armatosur, si dhe nga prova-fletorja e gjetur pas luftës në fshatin Krushë e Vogël, ku në listën e rojeve të fshatit ishte edhe emri i Darko Tasiqit.

Në fund, prokurorja Hajdari tha se në veprimet e të akuzuarit janë përmbushur elementet qenësore të veprës penale të krimeve të luftës, andaj i propozoi gjykatës që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit, si dhe ta obligoj që të kompensojë dëmin e shkaktuar.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ljubomir Pantoviq deklaroi se nuk e mohojnë se në Krushë të Vogël kanë ndodhur krime apo masakër.

Sipas tij, edhe pse Darko Tasiq në bazë të pikave të aktakuzës nuk është i akuzuar për vrasje, përshtypja në publik është krijuar se gjykimi është duke u mbajtur për vrasje dhe se kjo përshtypje është krijuar edhe nga deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në gjykatë.

Avokati Pantoviq tha se nga dokumentarët e paraqitur në gjykatë, të realizuar nga gazetari britanik John Sweeney, janë përmendur shumë emra të serbëve në Krushë të Vogël, po jo edhe emri i Darko Tasiqit.

Tutje, ai tha se në mënyrë të panevojshme nga gjykata janë administruar disa prova të cilat nuk kanë lidhje me pikat e aktakuzës.

Sipas tij, me këtë aktakuzë Darko Tasiq nuk akuzohet për vrasje dhe se ai nuk ka qenë pjesë e ushtrisë serbe, për të cilën arsye kërkoi nga trupi gjykues që të jenë objektiv në rastin e vendosjes, në mënyrë që të mos ndikohet nga krimet që kanë ndodhur në kohë të luftës në Krushë të Vogël.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit deklaroi se dëshmitë e dëshmitarëve nuk janë të besueshme, sepse sipas tij janë ndërruar në faza të ndryshme të procedurës dhe kanë kundërthënie në mes vete.

Në fund, avokati Pantoviq kërkoi qe të jepet aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Tasiq.

Pas deklarimit të tyre,  kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani tha se shpallja e aktgjykimit për këtë do të bëhet me 22 qershor, në ora 13:30.

Lidhur me këtë rast, qytetarët e Komunës së Prizrenit kanë protestuar para gjykatës, duke kërkuar dënimin e të akuzuarit Tasiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ku janë bijt tanë?”, “113 të vrarë, 145 fëmijë jetim, 68 ende të zhdukur”, “Duam drejtësi”, janë vetëm disa nga fjalët e shkruara në pankartat që protestuesit mbanin në duar gjatë të mërkurës.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi