Prokuroria kërkon dënim e të akuzuarve për shitblerjen e 55 kg marihuanë

Prokuroria kërkon dënim e të akuzuarve për shitblerjen e 55 kg marihuanë

Me dhënien e fjalës përfundimtare, të mërkurën ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj katër të akuzuarve për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, Adam Nezaj, Islam Basha, Lavdërim Osmani dhe Vegim Esati.

Ata po akuzohen nga PSRK-ja se kanë vepruar në grup për të kryer veprën penale të shitblerjes së narkotikëve, pasi që më 24 qershor 2019, Policia e Kosovës në një depo në Lipjan, ka gjetur dhe ka sekuestruar 55 kg e 432 gramë marihuanë, me origjinë nga Shqipëria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori special Dren Paca, në fjalën e tij përfundimtare, ka kërkuar nga gjykata që t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit katër të akuzuarit si më lartë, për shitblerje me narkotikë.

“Nga provat e administruara konsiderojmë se janë konsumuar të gjitha elementet e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Andaj, gjykatës i propozojmë që të akuzuarit ti shpallë fajtorë dhe t’i dënoj për kryerjen e kësaj vepre në bashkëkryerje, e po ashtu të pandehurin Vegim Esati ta dënoj edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje”, tha prokurori Paca.

Më pas, prokurori Paca i ka propozuar gjykatës edhe konfiskimin e dobisë pasurore e cila ishte sekuestruar paraprakisht dhe vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarve.

“Po ashtu, konform ligjit, gjykatës i kemi propozuar që të akuzuarve t’ua konfiskoj dobinë pasurore e cila është sekuestruar paraprakisht me masën e përkohshme për sigurimin e pasurisë dhe që e njëjta të mundësohet që të shitet për të mos humbur vlerën”, shtoi prokurori.

Mirëpo, këto pretendime të prokurorisë kanë hasur në kundërshtimin e mbrojtësve të të akuzuarve të cekur si më lartë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Së pari, mbrojtësi i të akuzuarit Vegim Esati, avokati Skender Musa tha se asnjë nga provat e administruara gjatë këtij gjykimi, nuk e implikonin të mbrojturin e tij në kryerjen e veprës që i ngarkohej.

“Gjatë këtij gjykimi janë administruar provat, dhe në asnjë vend nuk është përmend i mbrojturi im Vegim Esati, as në transkripte nuk ka pasur asnjë komunikim me të mbrojturin tim. Këto prova e dëshmojnë qartë se i mbrojturi im nuk ka pasur lidhje me të akuzuarit e tjerë”, tha avokati Musa.

Andaj, sipas avokatit Musa, gjykata ndaj të mbrojturit të tij duhet të shpall aktgjykim lirues, si dhe të liroj makinat e sekuestruara, sipas tij, paligjshëm.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Nezaj, avokati Naim Rudari ka kërkuar nga gjykata që pranimin e fajësisë të bërë nga i mbrojturi i tij ta merr si rrethanë lehtësuese dhe të mbrojturit të tij t’i shqiptohet një dënim më i butë.

“Ne kërkojmë që pranimi i fajësisë nga Adam Nezaj të vlerësohet si rrethanë lehtësuese, që të njëjtit ti shqiptohet një dënim nën minimumin e paraparë ligjor, pasi i njëjti është penduar thellë, e di se ka gabuar, gjatë kësaj kohe ai është bërë edhe baba, andaj kërkojmë nga gjykata që ti ketë parasysh të gjitha rrethanat, pavarësisht që ekziston edhe një rast tjetër në zhvillim e sipër, ne kërkojmë që atij t’i ndërpritet masa e paraburgimit”, tha avokati Rudari.

Ky deklarim i avokatit Rudari u përkrah edhe nga i mbrojturi i tij, Adam Nezaj, i cili shprehu pendimin e tij të thellë për veprën e kryer.

Ngjashëm, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Basha, avokati Betim Shala ka kërkuar pafajësinë për të mbrojturin e tij, pastaj ndërprerjen e masës së paraburgimit dhe mos konfiskimin e automjeteve dhe telefonave, pronë e klientit të tij.

Thëniet e avokatit Shala u përkrahën edhe nga i mbrojturi i tij, i cili deklaroi se priste vetëm drejtësi nga gjykata, duke mohuar në tërësi se kishte lidhje me veprën që i ngarkohej.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Lavdërim Osmani, avokati Ahmet Tahiri ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë, duke i propozuar gjykatës aktgjykim lirues për klientin e tij.

“Në bazë të shqyrtimit gjyqësor të mbajtur për këtë çështje penale, duke u mbështetur në këto prova të administruara, në asnjë rast nuk u vërtetua teza e akuzës dhe besueshmëria e saj, andaj i propozojmë gjykatës që pas analizimit të kësaj çështje, në raport me të mbrojturin tim të marr aktgjykim lirues dhe të liroj të gjitha gjësendet e sekuestruara”, tha avokati Tahiri.

I akuzuari Osmani, në fjalën e tij përfundimtare tha se kjo ngjarje ishte një manipulim, duke mohuar përfshirjen e tij në kryerjen e kësaj vepre penale siç akuzohet nga prokuroria.

“Unë jetoj që 32 vjet në Austri dhe ju betohem juve trupi gjykues dhe prokurorisë që s’kam lidhje fare me këtë çështje, kjo është një mungesë e madhe e drejtësisë. Kjo është një manipulim, asgjë nuk është e vërtetë. Posa të shkoj në Austri do të angazhoj avokatët privatë për këtë rast, nuk e nxij faqen dot, nuk i them dot familjes, se pse kam ra në burg, kjo është turp, për faqe të zezë”, tha i akuzuari Osmani.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më datën 22 qershor, në ora 9:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 15 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Adam Nezaj, Islam Basha, Lavdërim Osmani dhe Vegim Esati për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Sipas PSRK-së, të akuzuarit Adam Nezaj, Islam Basha dhe Lavdërim Osmani me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, e duke vepruar në grup, më 23 qershor 2019, një natë para arrestimit janë takuar në Tiranë, ku janë dakorduar dhe kanë ndarë rolet, ku i akuzuari Nezaj kishte përgjegjësinë që drogën ta sjell nga Shqipëria në Kosovë, për ta sistemuar në pronën e të akuzuarit Mustafë Esati, pastaj të akuzuarit Islam Basha dhe Lavdërim Osmani që ta përgatisin terrenin, kanë shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Mustafë Esati për të monitoruar vendin ku duhej dërguar narkotike, i pandehuri Vegim Esati, me detyrë për të vëzhguar lëvizjet eventuale të policisë.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Adam Nezaj, më 24 qershor 2019, me veturën e tij “Citroen” ka hyrë në Kosovë dhe ka shkuar tek qendra tregtare “Viva Vresh” në Veternik, ku takohet me të akuzuarin Lavdërim Osmani, të cilin aty e kishte dërguar i akuzuari Mustafë Esati, ku me veturën “Citroen”, kanë vazhduar për në shtëpinë e të akuzuarit Mustafë Esati, që gjendej në Lipjan, dhe me të arritur tek udhëkryqi i Lipjanit, takohen me të akuzuarit Islam Basha dhe Vegim Esati, me ç’rast futet me veturën e tij në brendësi të oborrit të shtëpisë së Mustafë Esatit, ku ishte e parkuar vetura “Pikap”, dhe nga vetura e Adam Nezajt zbrazin narkotikun për ta vendosur në veturën “Pikap”.

Gjithnjë sipas akuzës, vetura “Citroen” del nga aty dhe niset në drejtim të Lipjanit, kurse i pandehuri Mustafë Esati, me veturën e tij, shkon në një supermarket, i cili gjendej afër shtëpisë, ku blenë qese të plastikës dhe niset në drejtim të depos së tij, e ndalon veturën në hyrje të oborrit, derisa në këtë moment policia ka hyrë në këtë depo për të realizuar kontrollin dhe me të vërejtur policinë, i akuzuari Vegim Esati bërtet duke thënë “ikni, policia” dhe me rastin e kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar 55 kg e 432 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se njëkohësisht në vendin e ngjarjes janë arrestuar të pandehurit Islam Basha, i cili në atë moment ka qenë në katin e dytë të shtëpisë hipur në dritaren e një dhome me qëllim të ikjes, Vegim Esati, Lavdërim Osmani, ndërsa pak më vonë në territorin e komunës së Gjakovës, është arrestuar edhe i akuzuari Adam Nezaj, kurse i akuzuari Mustafë Esati, ka arrit që të arratiset.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 par.1 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, sipas kësaj aktakuze, Vegim Esati akuzohet edhe se më parë është furnizuar dhe pa autorizim deri më 24 qershor 2019, ka mbajtur armë dhe atë një revole 9 mm, një karikator së bashku me 18 fishekë, i cili është gjetur dhe sekuestruar në depon e të pandehurit Mustafë Esati, që gjendet para autolarjes “Flloki”, te udhëkryqi i Lipjanit, me rastin e bastisjes që kishte ndërmarrë policia.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Vegim Esati se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi