Ja çfarë thonë Tovërlani e Munishi pas sfidës Nikli-Ballkani
BKT
Sport

Ja çfarë thonë Tovërlani e Munishi pas sfidës Nikli-Ballkani

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka thënë se është shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së vet, e cila e arriti finalen e Kupës së Kosovës për herë të parë në historinë e vet 73-vjeçare, pas barazimit 1:1 me Feronikelin të mërkurën.

Ballkani do të luajë në finale të Kupës së Kosovës për herë të parë në histori të klubit sepse e eliminoi Feronikelin falë golit si mysafir të shënuar nga Mirlind Daku në barazimin 1:1 në Drenas, pasi ndeshja e parë gjysmëfinale në Suharekë kishte mbaruar 0:0.

Megjithëse e pranon se skuadra e vet ka nevojë për shumë përmirësim, Munishi thotë se ndihet i kënaqur me paraqitjet e futbollistëve të vet në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale.

“Jam shumë i kënaquri me futbollistët edhe pse kemi shumë për t’u përmirësuar. Kemi qenë jashtëzakonisht të motivuar dhe tani luajmë për herë të parë në finale. U uroj të gjithëve për këtë arritje, përfshirë tifozëve”, ka thënë Munishi pas ndeshjes.

Munishi shtoi: “Kjo do të na japë vetëbesim. Na patëm fat, i cili na kishte munguar në ndeshjet e kaluar.”

I pyetur përse ishte i qetë gjatë gjithë ndeshjes, gjë që është e pazakontë për karakterin e Munishit dhe e paparë deri tani gjatë ndeshjeve të tij, ai shpjegoi: “Presim më vonë (me shpërthye). E respektoj presidentin e Feronikelit (Naser Ramaj) sepse kam punuar këtu prandaj kam qenë i qetë sot”.

Ndërkohë, edhe trajneri i Feronikelit, Afrim Tovërlani e ka komentuar ndeshjen e sotme gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës ndaj Ballkanit, e cila përfundoi me rezultat 1:1.

Ky barazim ishte e pamjaftueshëm për ekipin e tij që të kualifikohej tutje pasi Ballkani shkoi në finale falë peshës së golit të mysafirit, duke e pasur parasysh se ndeshja e parë kishte përfunduar pa gola, 0:0.

“Kishim mungesa, sidomos në mesfushë. Ky ishte i gjithë kapaciteti ynë, e shfrytëzuam të gjithë arsenalin që e kishim. Me potencialin që e ka sot Ballkani, nuk mund të krahasohemi me të. Tentuam ta shënonim edhe golin e dytë, por nuk ia dolëm. Ne e kemi lëshuar mundësinë e kualifikimit në ndeshjen e parë, kur nuk i shfrytëzuam rastet që i kishim”, deklaroi pas ndeshjes Tovërlani për Super Sport Kosova, raporton Express.

Pasi e lëshoi mundësinë e daljes në Evropë përmes Kupës, Feronikeli tash do të fokusohet totalisht në IPKO Superligë.

“Do t’i marrim ndeshjet një nga një. Sa i përket titullit, mendoj se jemi shumë larg. Do të shohim nëse gabojnë skuadrat tjera dhe të mundohemi ta shfrytëzojmë çdo mundësi që na jepet”, përfundoi “Toki”.

Feronikeli i jep fund kështu eksperiencës në Kupë, kurse në finale do të luajnë Ballkani me Prishtinën.