Mourinho “fërkon duart” rikuperon kapitenin për fazën finale
Ndërprerja e futbollit për shkak të pandemisë pati padyshim pasoja negative për klubet në të gjithë botën, por klube të caktuara përfituan jo pak për të rikuperuar lojtarët e dëmtuar dhe për të provuar arritjen e objektivave.
Një prej tyre është Tottenhami, që ishte në garë për një vend në zonën Champions të renditjes, por që po luante praktikisht pa asnjë sulmues në dispozicion, pasi si kapiteni Harry Kane, ashtu edhe koreano-jugori Hueng-Min Son ishin të dëmtuar.
Jose Mourinho po përshtaste lojtarë të ndryshëm në repartin e avancuar, por dukej qartë që nuk po merrte rezultat në fushë, ndërsa gjatë kohës së pandemisë, ka arritur të rikuperojë të gjithë futbollistët që ka në organikë.
“Kane është rikuperuar tërësisht dhe mund të konfirmoj që do të jetë titullar në ndeshjen ndaj Manchester United. Nuk e dimë ende sa minuta ka në këmbë, pasi vjen pas një pushimi 6-mujor, por fusha do të na japë përgjigje më të sakta. E rëndësishme është që në sprintin final do të kemi organikë të plotë, pasi kështu do të kemi më të lehtë arritjen e objektivave tanë”, u shpreh portugezi.
Si Tottenhami ashtu edhe Manchester United kanë si objektiv arritjen e një vendi në zonën Champions të renditjes, dhe sfida mes tyre nesër në mbrëmje, do të jetë një përballje direkte ku të dyja do provojnë arritjen e fitores.























