Mediat italiane: Lazio siguron Kumbullën, ja detajet e marrëveshjes
Marash Kumbulla sipas të gjitha gjasave sezonin e ardhshëm do të jetë lojtar i Lazios.
Mediet italiane e bëjnë të sigurt arritjen e marrëveshjes mes drejtuesve bardhekaltër dhe atyre veronezë në takimin “blitz” që u zhvillua gjatë mbrëmjes në Villa San Sebastiano. Lotito dhe Tare nga njëra anë dhe Setti e Tony D’amico në krahun tjetër kanë rënë dakord parimisht për kushtet e transferimit e tashmë kanë mbetur për t’u përcaktuar vetëm disa detaje.
Një lëvizje e befasishme kjo e Lazios që djeg Interin e Juventusin, që gjithashtu kishin shprehur interes konkret për futbollistin e lindur në vitin 2000.
Sikurse është njoftuar më herët, marrëveshja është arritur për 18 milionë euro, plus dy futbollistë të Lazios, që do të marrin rrugën e kundërt me Kumbullën, pra do t’i bashkohen Veronës.
Flitet për Lombardin, aktualisht i huazuar te Salernitana, dhe për Berishën, që do të kthehet nga huazimi në Gjermani. Lazio thuajse ia ka dalë për të rrëmbyer një nga zbulimet e sezonin në Serinë A.























