“FC Prishtina nuk është pjesë e asnjë grupimi të klubeve”
FC Prishtina ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Trepçës ’89, Abedin Zekës, i cili sonte në “Favorit” tha së janë shtatë klube të Superligës së Kosovës që janë të bashkuara dhe zhvillojnë takime për t’i diskutuar temat e ndryshme, mes përplasjeve të vazhdueshme me Federatën e Futbollit të Kosovës.
Sipas tij, në mesin e shtatë klubeve është edhe Prishtina. Por nuk ka vonuar shumë dhe klubi kryeqytetas përmes një njoftimi, ka demantuar kreun e Trepçës ’89.
Në reagimin e Prishtinës thuhet së skuadra ‘bardhekaltër’ nuk është pjesë e asnjë grupimi të klubeve.
Ja reagimi i FC Prishtinës:
“Njoftojmë opinionin e gjithëmbarshëm, edhe njëherë edhe për të satën herë, që FC Prishtina nuk është pjesë e asnjë grupimi të klubeve, as për, as kundër dikujt. FC Prishtina i bënë vetë politikat e veta. Sikur të ishte FC Prishtina me ndonjë grup të caktuar do t'i kishte punët më mirë (!). Faleminderit miqve të djeshëm e të sotëm, por në emrin e FC Prishtina nuk ka të drejtë, për herë të fundit, të flas ndonjë anëtar i ndonjë klubi tjetër”, thuhet në njoftimin e FC Prishtinës.























