6 kandidatë në garë të ngushtë për anëtar të KGJK-së nga Kuvendi
Sharr Travel

6 kandidatë në garë të ngushtë për anëtar të KGJK-së nga Kuvendi

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka përfunduar procedurën e intervistimit të kandidatëve për anëtarë të KGJK-së nga Kuvendi, me ç’ rast ka propozuar për votim në seancë plenare 6 kandidatë, 4 nga radhët e anëtarëve të KGJK-së që zgjedhen nga shumica e përgjithshme e deputetëve dhe 2 nga radhët e anëtarëve që zgjedhen nga ana e deputetëve të komuniteteve të tjera.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar koordinatori i Komisionit për Legjislacion, Visar Krasniqi.

Kandidatët për anëtarë të KGJK-së që zgjedhen nga shumica e përgjithshme e deputetëve të cilët nga ana e Komisionit për Legjislacion i janë propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës për votim janë: Driton Muharremi, Hashim Qollaku, Hasim Sogojeva dhe Vilard Bytyqi. Nga këta 4 kandidatë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancë plenare me votim të fshehtë do të zgjedhë 2 prej tyre.

Ndërsa, kandidatët për anëtarë të KGJK-së të cilët zgjedhen nga radhët e komuniteteve të tjera, Komisioni për Legjislacion i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Sadete Fazliji dhe Fahret Vellija. Nga këta 2 kandidatë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancë plenare me votim të fshehtë do të zgjedhë njërin prej tyre.

Ndryshe, Kuvendi i Republikës së Kosovës më 25 maj 2020 ka shpallur konkurs për tre anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

KGJK përbëhet nga 13 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjedhën nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe shtatë të tjerë zgjedhën nga ana e gjyqësorit, me mandat pesë vjeçar.

Dy anëtarë të KGJK-së zgjedhën nga deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme, dy të tjerë zgjedhën nga deputetët të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara nga komuniteti serb në Kosovë dhe dy anëtarë tjerë zgjedhën nga deputetët të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve tjera.

Në secilin prej këtyre rasteve, të paktën njëri nga dy anëtarët e zgjedhur duhet të jetë gjyqtar.

Në konkursin e shpallur më 25 maj 2020, dy anëtarë të ri të KGJK-së do të zgjedhën nga deputetët e Kuvendit të cilët i mbajnë vendet e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme dhe një anëtar tjetër do zgjedhet nga deputetët të cilët i mbajnë pozitat garantuara nga komunitet pakicë jo-serbe

Në këtë konkurs, fillimisht kishin aplikuar 25 kandidatë, 6 nga të cilët Komisioni për Legjislacion i ka propozuar për votim Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sa i përket këtyre kandidatëve, “Betimi për Drejtësi” më 24 qershor 2020 kishte sjellë profilin e secilit prej tyre:

Profili i 25 kandidatëve për anëtar të KGJK-së nga Kuvendi

Në konkursin e shpallur më 25 maj 2020, dy anëtarë të ri të KGJK-së do të zgjedhën nga deputetët e Kuvendit të cilët i mbajnë vendet e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme dhe një anëtar tjetër do zgjedhet nga deputetët të cilët i mbajnë pozitat garantuara nga komunitet pakicë jo-serbe.

Në këtë konkurs kanë aplikuar gjithsej 25 kandidatë, të cilët sot do të intervistohen nga Komisioni për Legjislacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në mesin e kandidatëve që pretendojnë të zgjedhën si anëtarë të KGJK-së nga Kuvendi është edhe një ish-anëtare e KGJK-së, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, të cilës sipas Ligjit nr.06-L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i ndalohet të zgjidhet në këtë pozitë.

Valdete Daka është Gjyqtare në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës. E njëjta po ashtu është edhe Kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjyqtarja Valdete Daka paraprakisht ka qenë anëtare e KGJK-së, mandati i të cilës ka përfunduar në vitin 2016.

Sa i përket aplikimit të Gjyqtares Valdete Daka për anëtare të KGJK-së, para së gjithash, duhet pasur parasysh se zgjedhja e Gjyqtares Daka në këtë pozitë është në kundërshtim me ligjin.

Neni 12.1 i Ligjit nr.06/L-055 për KGJK-në përcakton se “Anëtaret e Këshillit zgjidhen për një mandat pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje”.

Ky nen është inkorporuar në Ligjin e ri për KGJK-në, i cili ka hyrë në fuqi më 10 janar 2019.

Qëllimi i këtij neni është që përbërja e KGJK-së të ripërtërihet vazhdimisht, dhe jo që të anëtarët paraprak të zgjedhen përsëri anëtarë në KGJK.

Në këtë drejtim, Gjyqtarja Valdete Daka kur është zgjedhur anëtare e KGJK-së në vitin, 2011, është zgjedhur sipas Ligjit nr.03/-L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ligj ky tanimë i shfuqizuar.

Neni 7 i këtij ligji përcaktonte se “Përveç siç parashtrohet në nenin 151 të Kushtetutës dhe Planit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Shtojca IV, neni 4.2, anëtarët e Këshillit zgjidhen me një mandate pesë  (5)  vjeçar, siç ceket në nenin 108 (6) të Kushtetutës dhe këtij ligji. Anëtari mund të zgjidhet për një mandat shtesë jo vijues pesë  (5) vjeçar”. 

Fakti se Gjyqtarja Valdete Daka është zgjedhur në vitin 2011 anëtare e KGJK-së duke u bazuar në ligjin i cili ka lejuar edhe një mandat jo-vijues, nuk i jep të drejtë Kuvendit të Republikës së Kosovës që të njëjtën ta zgjedhë anëtare edhe për një mandat.

Kjo për arsye se Ligji sipas të cilit Gjyqtarja Daka është zgjedhur anëtare në mandatin e parë tanimë është shfuqizuar, dhe i njëjti nuk mund të aplikohet.

Në rastin konkret, edhe vetë organi ligjvënës, përkatësisht Kuvendi i Republikës së Kosovës, duhet të zbatojë ligjin në fuqi.

Aplikimi i ligjit të shfuqizuar në rastin e ish-anëtarëve të KGJK-së, nuk është përcaktuar në dispozitat kalimtare të Ligjit të ri për KGJK-në.

Për më tepër, neni 12 i Ligjit nr.06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës i referohet përbërjes së Këshillit dhe ka për qëllim rregullimin e përbërjes së këtij institucioni, dhe jo një të drejte specifike të një anëtari të caktuar.

Për këto arsye, Gjyqtares Valdete Daka nuk i lejohet që të zgjedhet anëtare e KGJK-së.

Në anën tjetër, Daka është edhe Kryetare e KQZ-së, mandati i të cilës përfundon në vitin 2025. Për shkak të këtij angazhimi, edhe aktiviteti i saj si Gjyqtare e Gjykatës Supreme ka qenë më i reduktuar, fakt i cili konsiderohet si normal dhe i logjikshëm.

Por, për shkak të angazhimit të Dakës si Kryetare e KQZ-së, ky angazhim i saj do të ndikojë edhe në punën e Dakës si anëtare e KGJK-së.

Fakti se Daka vazhdon të mbajë pozitën e Kryetares së KQZ-së, nënkupton pamundësinë e të njëjtën për të dhënë kontributin maksimal të saj në pozitën e anëtares së KGJK-së.

Këtij institucioni, i nevojiten anëtar të cilët mund të japin kontributin e tyre maksimal në punën e KGJK-së, veçanërisht nisur nga fakti se ky institucion asnjëherë nuk ka arritur që ti përmbushë të gjitha obligimet e caktuara me ligj.

Për këto arsye, zgjedhja e Gjyqtares Valdete Daka në këtë pozitë është e kundërligjshme dhe rrit regresin e efikasitetit të KGJK-së.

Kandidat tjetër në këtë proces është edhe Gjyqtari Zenel Leku.

Zenel Leku fillimisht ka qenë gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, derisa në vitin 2017 është avancuar në Gjykatën e Apelit, në të cilën gjykatë shërbenë akoma.

Leku është një ndër pesë (5) autorët e “Manualit për Zbatimin e Procedurës Kontestimore”, manual ky i publikuar nga USAID.

Leku ishte propozuar në vitin 2016 për anëtar të KGJK-së, por se nuk ishte zgjedhur. Bashkë me Lekun, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte propozuar për anëtare në KGJK edhe Gjyqtaren Anita Prenaj-Krasniqi, e cila me sukses ishte zgjedhur anëtare e KGJK-së.

Garës për anëtare të KGJK-së i ka hyrë edhe Gjyqtarja Shadije Gërguri.

Gjyqtarja Gërguri është gjyqtare e Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

E ulëses së KGJK-së i’a ka mësyer edhe Gjyqtari Lutfi Shala

Lutfi Shala është Gjyqtar i Gjykatës Themelore në Gjakovë – Degë në Malishevë. I njëjti është “transferuar” nga kjo Gjykatë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lidhur me këtë “transferim”, IKD kishte gjetur se kemi të bëjmë me transferim të kundërligjshëm.

Kjo pasi në këtë rast, Gjyqtari Lutfi Shala kishte kaluar nga Departamenti i Përgjithshëm si nivel më i ulët, në Departamentin për Krime të Rënda si nivel më i lartë. Në këtë mënyrë, gjyqtari Lutfi Shala është avancuar kundërligjshëm, pa konkurs, në emër të transferimit të përkohshëm.

Në anën tjetër, Gjyqtari Lutfi Shala në një rast ishte kërcënuar nga një qytetar, derisa ishte duke shërbyer në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Kandidati tjetër për anëtar të KGJK-së që sot do të intervistohet nga Komisioni për Legjislacion është Gjyqtari Hashim Çollaku.

Gjyqtari Hashim Çollaku është Gjyqtar në Gjykatën e Apelit, në Departamentin e Përgjithëshëm, Divizoni Penal.

I njëjti është zgjedhur nga KGJK në pozitën e nën-Kryetarit të Gjykatës së Apelit, derisa në kohën kur zgjedhja e Gjyqtarit Hasan Shala në krye të Gjykatës së Apelit ishte anuluar nga Gjykata Kushtetuese, Hashim Çollaku ishte zgjedhur u.d. i Kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Çollaku ka edhe backgraundin akademik. Ai është doktor i shkencave juridike. Në gjithë sistemin gjyqësor, janë vetëm tre gjykatës me titullin e doktorit të shkencave juridike.

Gjyqtar tjetër i Gjykatës së Apelit i cili synon të marrë besimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për anëtarë në KGJK është Gjyqtari Driton Muharremi.

Driton Muharremi është gjyqtar i Gjykatës së Apelit, në Departamentin për Krime të Rënda. I njëjti ka pasur në trajtim disa prej rasteve të rënda për korrupsion, në cilësi të ndryshme në kolegjet e Apelit.

Krahas punës si Gjyqtar, Driton Muharremi ka edhe backgraundin akademik. Muharremi është doktor i shkencave juridike dhe ligjëron në Kolegjin AAB, në lëndën Procedurë Penale. Po ashtu, Muharremi është autor i tre librave universitar dhe bashkë autor i fjalorit “Terminologjia kriminalistike”, i botuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Para komisionit për Legjislacion duke synuar ulësen e anëtares së KGJK-së do të intervistohet edhe Gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj.

Nushe Kuka-Mekaj ka qenë Gjyqtare në Gjykatën Themelore në Pejë, derisa me vendime të një pas njëshme të KGJK-së, që nga viti 2018 është duke shërbyer në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Nushe Kuka-Mekaj është kunata e ish-Kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, i cili ishte akuzuar nga PSRK, por ishte liruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe Gjykata e Apelit, derisa Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës në këtë rast kishte konstatuar shkelje të ligjit në favor të pandehurit.

Po ashtu, nën akuzë të Prokurorit të Shtetit ka qenë edhe djali i saj, Asdren Mekaj, i cili po ashtu është liruar. Madje, aktakuza e PSRK-së për rastin e ish-Kryetarit Salih Mekaj e përfshinë edhe djalin e Gjyqtares Nushe Kuka-Mekaj, Asdren Mekaj.

Rasti i Asdren Mekaj, ishte aktiv në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në kohën kur Gjyqtarja Nushe Kukaj-Mekaj me vendim të KGJK-së ishte transferuar nga Gjykata Themelore në Pejë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Pas këtij vendimi, kishin reaguar mediat, me ç’rast KGJK nuk kishte shfuqizuar vendimin e vet për transferimin e Gjyqtares Nushe Kukaj-Mekaj, por se kishte udhëzuar kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë që ta transferojë rastin në të cilin akuzohet djali i gjyqtares në fjalë.

Gjyqtar tjetër në këtë garë është edhe Gjyqtari Mehmet Ndrecaj.

Ndrecaj ka qenë gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prizren, derisa aktualisht shërben si Gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Në këtë garë bënë pjesë edhe ish-Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Zyhdi Haziri.

Zyhdi Haziri nga fillimi i vitit 2013 e deri në vitin 2016 ka shërbyer si Kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan.

Ulëse në KGJK synon edhe ish-Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, po thuajse i sapozgjedhur Udhëheqës i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, Vaton Durguti.

Gjyqtari Vaton Durguti fillimisht ka shërbyer në Gjykatën Komunale në Prizren e më pas edhe në Gjykatën e Qarkut në Prizren.

Nga janari i vitit 2013 e deri më 1 korrik 2019, i njëjti ka shërbyer si Kryetar i Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Nga 1 korriku 2019, ai është zgjedhur Gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit. Po ashtu, KGJK e ka caktuar Durgutin edhe si Udhëheqës të këtij departamenti.

Por, përpos gjyqtarëve, edhe një ish-politikan synon të jetë pjesë e KGJK-së.

Mustafë Myrtaj ka qenë kandidat për deputet nga radhët Partisë Liberale Egjiptiane në vitin 2017, dhe kandidat për deputet nga radhët e Iniciativës së re Demokratike të Kosovës në vitin 2019.

Po ashtu, në Qeverinë Haradinaj, Myrtaj kishte qenë Zëvendës Ministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Nga ky pozicion, Myrtaj u shkarkua nga ish-Kryeministri Haradinaj, pasi i njëjti kishte pranuar një kërkesë për shkarkimin e Myrtaj. Këtë kërkesë e kishte bërë pikërisht partia e Myrtaj, e cila e arsyetonte kërkesën e tyre me pretendimin se Myrtaj kishte bërë deklarime raciste.

Po ashtu, garës për anëtar të KGJK-së i janë futur edhe Gjyqtarët Alija Fazliji, Gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, Divizoni për Kundërvajtje, Hasim Sogojeva, i cili fillimisht ka shërbyer në Gjykatën Komunale në Ferizaj, dhe më pastaj në Gjykatën Themelore në Prishtinë, derisa nga viti 2019, i njëjti shërben si gjyqtari i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Hidajete Gashi, Gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Fahret Vellija, gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prizrenit dhe Avdirrahman Gashi, Gjyqtar Mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan.

Po ashtu, në këtë garë bëjnë pjesë edhe persona të tjerë, të cilët nuk janë gjyqtarë. Përkatësisht, në garë për anëtarë të KGJK-së nga radhët e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë edhe kandidatët Ahmet Imami, Ardita Morina, Sadete Fazjili, Saranda Rexhepi, Valon Lokaj, Vilard Bytyqi, Hasan Rexha, Lulzim Muharremi dhe Albion Kelmendi. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi