Themelorja aprovon kërkesëpadinë për njohjen e të drejtës së pronsisë
Sharr Travel

Themelorja aprovon kërkesëpadinë për njohjen e të drejtës së pronsisë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditësit Hajrullah Kryeziu, i cili ka kërkuar nga i padituri Bekim Krasniqi njohjen e të drejtës së pronësisë në patundshmëri.

Me aktgjykimin e datës 10 mars 2020, gjykatësi i rastit Latif Xhemaili ka vërtetuar se paditësi në bazë të marrëveshjes interne të nënshkruar nga palët ndërgjyqëse dhe investimit në tender me një shumë prej 133,000.00, është bartës i të drejtës së qirambajtjes për 99 vite, për ngastrat në Milloshevë, Obiliq, e Mazgit, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 91 hektar, e privatizuar në Valën e 34 me 26 maj 2009, nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP-ja).

Me këtë vendim, gjykata e ka obliguar drejtorin për Gjeodezi dhe Kadastër të Komunës së Obiliqit, që këto prona deri në sipërfaqe prej 8,07 hektar t’i regjistroj në emër të paditësit, gjithashtu dhe të paditurin Krasniqi e ka obliguar që paditësit t’ia njohë të drejtën e pronësisë në këto prona.

Ndërsa, gjykata me këtë vendim e ka refuzuar pjesën e padisë së paditësit, me të cilën paditësi ka kërkuar njohën e të drejtës së pronësisë edhe për pronat me një sipërfaqe prej 14 hektar, e 70 ari, e 96 metra katror, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata po ashtu me këtë vendim e ka lënë në fuqi aktvendimin mbi caktimin e masës së sigurisë, të datës 7 maj 2012, si dhe e ka obliguar të  paditurin që paditësit t’ia kompensoj edhe shpenzimet e procedurës në vlerë prej 2,946.15 euro, sipas vlerës së kontestit deri në shkallën 30% të suksesit në procedurë, duke ia refuzuar shumën tjetër të kërkuar në vlerë prej 6,874.35 euro.

Ndërsa për pjesën tjetër të shpenzimeve thuhet se në pajtim me nenin 450 të LPK-së, secila palë do t’i bartë shpenzimet të cilat vet i kan krijuar gjatë kësaj procedure.

Gjykata marrjen e këtij vendimi e ka arsyetuar me faktin se, gjatë procedimit gjyqësor është vërtetuar marrëveshja interne e bashkëpunimit për projektin në Milloshevë me 91 hektar, e privatizuar në Valën e 34 me 26 maj 2009, nga AKP-ja, është nënshkruar nga ana e paditësit dhe të paditurit, e që paditësi sipas kësaj marrëveshje është bashkëpronar i ¼ të kësaj paluajtshmërie.

Në vendim gjykata ka konstatuar se palët ndërgjyqëse, me 5 tetor 2009, kishin përpiluar te avokati Ilaz Qerkini një marrëveshje, në të cilën përcaktohet se paditësi do të jetë bashkëpronar ¼, e projektit të Valës 34 të AKP-së me një sipërfaqe prej 91 hektar, 11 ari dhe 84 metra katror.

Sipas vendimit, kjo marrëveshje ishte lidhur ndërmjet palëve ndërgjyqëse gjashtë muaj para se të lidhej kontrata e shitjes së patundshmërisë në valën e 34 të AKP-së dhe e cila sipas vendimit ju ka parapri të gjitha veprimeve të ndërmarra faktike e juridike, deri në realizimin e kontratës së shitjes me AKP-në.

“Pas lidhjes së marrëveshjes, në kohën deri sa bëhej pagesa e tenderit të fituar, paditësi Hajrullah Kryeziu kishte angazhuar mjete personale, duke i’a dhënë të njëjtat të paditurit Bekim Krasniqi në shumë prej 102,000.000 euro, para të vëllait Fehmi Krasniqi, nga llogaria ICI-së, kompanisë së vet i’a transferon shumën prej 24,000.00 euro, të dyja me datë 6 nëntor 2009, kure 10 muaj më vonë në NLB, paditësi ia transferon në konton e të paditurit shumën prej 7,000.00 euro, e që gjithsej arrin shumën prej 133.000.00 euro” thuhet në vendim.

Sipas vendimit të gjykatës, palët ndërgjyqëse, me 21 maj 2010, e kishin regjistruar një firmë me logon NEË-CO, Agrikulture Land  L.L.C-SHPK, ku me statutin e aktit të themelimit si aksionar kishin qenë Bekim Krasniqi, Hajrullah Kryeziu Petrit Bajra dhe Lavdim Krasniqi, mirëpo më vonë me insistimin e të paditurit, nga statuti janë fshirë emrat e  të tjerëve dhe ka mbetur vetëm emri i pronarit Bekim Krasniqi.

Pas marrjes së vendimit nga Gjykata Themelore, palët ndërgjygjqëse kanë ushtruar ankesa në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Paditësi, me anën e ankesës të ushtuar më 17 qershor 2020, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të vërtetohet se paditësi është bashkëpronar ne ¼ e pasurisë se përgjithshme të projektit Milloshevë, 91 hektar të privatizuar në valën e 34-të të AKP-së në Prishtinë, me sipërfaqe te përgjithshme të tokës bujqësore prej 91.11,84 ne cilesinë e bartësit të së drejtës së qiramarrjes për 99 vjet dhe atë në pronat në Obiliq, Mazgit dhe Milloshevë.

Në anën tjetër, i padituri me anë të ankesës të ushtruar më 16 qershor 2020, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit ta refuzoj kërkesëpadinë e paditësit si të pa bazuar, ose ta prish aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen ta kthej në rigjykim.

Në ankesën e të paditurit pretendohet se dispozitivi i aktgjykimit është i pa kuptueshëm dhe është kontradiktor me vetveten, si dhe arsyet që janë dhënë në pjesën e arsyetimit nuk përputhen me faktet vendimtare.

Sipas padisë së ushtruar më 5 janar 2012, paditësi Hajrullah Kryeziu, kishte kërkuar nga Gjykata ‘Themelore në Prishtinë, t’i njoh atij të drejtën e pronësisë, mbi ngastrën në Milloshevë, disa ngastrave në Obiliq dhe disa ngastrave në zonën kadastrale në Mazgit.

Sipas kërkesëpadisë, paditësi kishte kërkuar nga gjykata që të merr aktgjykim, me të cilin paditësit  Hajrullah Kryeziu i njihet e drejta e pronësisë mbi  ¼ pjesë të ngastrës në Milloshevë, disa ngastrave në Obiliq dhe ngastrat sipas zonës kadastrale në Mazgit, të gjitha këto në një  sipërfaqe prej 29.15,92 ha.

Sipas padisë, paditësi kërkon nga gjykata që të obligohet i padituri, Bekim Krasniqi, t’ia njohin të drejtën e pronësisë, në pronat e lartcekura. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi