Serie A rikthehet me sfida joshëse, spikat dueli Atalanta-Juve
BKT
Sport

Serie A rikthehet me sfida joshëse, spikat dueli Atalanta-Juve

Ashtu si Reali i Madridit në Spanjë edhe Atalanta në Itali përfaqëson klubin e vetëm që i ka fituar që të gjitha ndeshjet e Serisë A, që nga momenti i rikthimit të skuadrave në fushë, pas ndërprerjes së gjatë dhe masave të forta shtrënguese për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Skuadra bergamaske befas numëron plot 6 fitore radhazi në kampionatin italian dhe me një ecuri të tillë klubi lombard vazhdon të ngjisë një e nga një shkallët në klasifikimin e përgjithshëm të Serisë A. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gian Piero Gasperini bëhet gati për provën e radhës, ndoshta më të vështirën, teksa kalendari i vë përballë rekordmenët e futbollit italian, për më tepër brenda në Allianz Stadium.

Padyshim Atalanta ka fituar admirimin e të gjithë sportdashësve, madje skuadra bergamaske me diferencë konsiderohet edhe si skuadra më simpatike në gjithë Kontinentin e Vjetër në këto dy sezonet e fundit. Leipzigu në Gjermani apo Ëolverhamptoni në Angli janë ngritur falë parave të injektuara nga drejtuesit respektivë të këtyre klubeve, ndërsa Getafe u këput shpejt në Spanjë, menjëherë pas rifillimit të kampionatit në Primera Division.

Në harkun e vetëm 17 ditëve, më saktë që nga data 21 qershor kjo skuadër ka luajtur një ndeshje më tepër se Juventusi dhe ka marrë përpara cdo kundërshtar që i ka dalë përballë. Sassuolo, Lazio, Udinese, Napoli, Cagliari dhe Sampdoria provuan me radhë forcën e skuadrës së ndërtuar nga Gasperini, 62-vjecari piemontez që ashtu si Allegri është nxënës i Giovanni Galeone-s trajnerit të paharrueshëm të Pescara-s që mori famë pikërisht falë lojës së tij sa të bukur aq edhe të veçantë. Pak a shumë ndodh gjithmonë kështu dhe pasi varin këpucët në gozhdë këta përsonazhe mundohen t’i orientojnë lojtarët e tyre pikërisht nëpërmjet filozofisë apo mësimeve që kanë marrë nga trajnerët e tyre të mëparshëm.

Duke lënë mënjanë eksperiencën negative me Interin, që nëntë vjet më parë zgjati vetëm 3 muaj gjithsej veterani nga Grugliasco ka qëndruar besnik i parimeve dhe mënyrës së tij të lojës. Në Bergamo e dëgjuan dhe i krijuan mundësitë për të punuar i qetë dhe rezultatet në njëfarë mënyrë flasin vetë. Në ecurinë e 6 fitoreve radhazi, tre ndeshjet e fundit kjo skuadër ia ka dalë për të triumfua pa pësuar fare gol, për më tepër skuadra e Gasperinit përmbysi disavantazhin e dy golave ndaj një ekipi si Lazio, që në 18 ndeshje kishte grumbulluar në total 50 nga 54 pikët e mundshme. E pra një ecuri e tillë fenomenale ka bërë të mundur edhe kapërcimin në tabelën e renditjes të zikaltërve të Interit, gjë e pamenduar në fundin e fazës së parë, kur ekipi i drejtuar nga trajneri Antonio Conte ëndërronte për “scudetto”-n në Serinë A, por gjithashtu tani Atalanta ka mundësinë për të ëndërruar pse jo edhe për t’u kurorëzuar si nënkampione e Italisë, duke kaluar në klasifikim vetë Lazio-n, duke parë që në tabelën e renditjes bardhekaltërit numërojnë vetëm 2 pikë më shumë.

Diferenca me kampionët në fuqi për momentin është 9 pikë, sidoqoftë deri në përfundim mbeten vetëm 7 javë, kështuqë një përmbysje e madhe në kreun e renditjes i kalon kufijtë e imagjinatës, pavarësisht kalendarit të favorshëm, ku përveç bardhezinjve skuadra e Gasperinit do të ketë vetëm dy klubet e Milanos, ndeshje që për më tepër Atalanta do të jetë e shtrënguar për t’i luajtur në harkun e vetëm një jave. Kjo skuadër duket se është mësuar për të përballuar sprinte të tilla, mjafton të kujtohet finishi i edicionit të kaluar në Serinë A, ku falë 16 pikëve të grumbulluara në 6 sfidat e fundit të kampionatit italian Atalanta la prapa me radhë Interin, Milanin, Romën, Torinon dhe Lacion, duke e mbyllur sezonin me 69 pikë, sidoqoftë 21 pikë larg Juves, që ngjante si një planet tjetër.

Këtë herë ky ekip numëron që tani 66 pikë dhe deri në fund mbeten edhe plot 7 javë, në një kohë kur diferenca me “zonjën e vjetër” është ngushtuar në thjesht 9 pikë. Skuadra shpeshherë dhuron spektakël dhe madje Gasperini nuk ndryshon stilin e lojës as atëherë kur është i shtrënguar për të bërë rotacion në gjirin e futbollistëve, pa harruar që Atalanta me meritë është kualifikuar për në fazën çerekfinale të Champions-it, ku pas një muaji do të masë forcat me një klub miliarder si Paris SG, që sipas revistës prestigjioze amerikane Forbes pozicionohet i 11 në listën e klubeve më të pasur në rruzull. Në krahun tjetër Juventusi mbyll dhjetëshen e parë të kësaj liste dhe bardhezinjtë ditën e premte mësuan fatin e tyre të mëtejshëm në një kompeticion aq fort të lakmuar, sic është Champions League.

Nëse do të kalohet Lioni në Torino, atëherë futbollistët juventinë e kanë të qartë se objektivi për të ngritur “trofeun me veshë të mëdhenj” për herë të parë pas afërsisht cerek shekulli kalon pikërisht në rrugën e City-t të Guardiolës. Nëse Atalanta krenohet me 11 fitore radhazi në të gjithë kompeticionet, 9 prej të cilave në Serinë A, skuadra e drejtuar nga trajneri Maurizio Sarri numëron 7 fitore në 8 sfidat e fundit të kampionatit, për më tepër edhe në klasiken e San Siros “zebrat” kishin epërsinë e dy golave, përpara se të përmbyseshin nga kuqezinjtë e Milanit. Kishte plot 7 vjet që Juventusi nuk pësonte katër gola në një ndeshje të Serisë A, që nga humbja e atëhershme, 4-2 me Fiorentinën në Artemio Franchi.

Kampionët në fuqi përfaqësojnë ekipin më të fortë në shtëpi, pasi Juvja ka fituar 14 nga 15 sfidat e këtij edicioni në Torino, e përjashtim bën vetëm barazimi 2-2 me Sasuolon, ndërsa Atalanta në krahun tjetër prezantohet si skuadra më e mirë jashtë fushe e Serisë A, duke fituar 10 nga 15 sfidat larg Bergamos, 5 prej të cilave rresht, madje disfatën e vetme formacioni i Gasperinit e ka pësuar në mesin e muajit dhjetor në Dall’Ara me Bolonjën, me shifrat 2-1. Si Sarri ashtu edhe Gasperini nuk do të kenë probleme me formacionet e tyre dhe të dy  do të kenë mundësinë për t’u mbështetur te lojtarët më të mirë.

Miqtë do të duhet të ruhen nga Cristiano Ronaldo që ka shënuar në të pesta ndeshjet që pas rikthimit, duke u ngjitur kështu në kuotën e 26 golave, ndërsa në krahun tjetër spikat treshja më e mirë e kampionatit Muriel–Ilicic-Zapata me 46 gola gjithsej, sidoqoftë Atalanta është një makinë golash, nëse merret në konsideratë fakti që zikaltërit kanë prodhuar plot 85 të tillë, me një mesatare shënimi 2.74 gola për ndeshje, ku shkëlqen gjithashtu edhe “xhuxhi argjentinas”, kapiteni Papu Gomez me 15 asistet e tij, ekip ku padyshim një kontribut të vecantë në fazën mbrojtëse ka edhe mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi Gjimshiti, transmeton SS.

Takimi do të luhet në orën 21:45 në Torino, ku dy skuadrat barazuan 1-1 në përballjen e edicionit të kaluar, sakaq në fazën e parë fituesit e 8 kampionateve të fundit në Serinë A ia dolën për të përmbysur disavantazhin për të fituar 3-1, me 3 gola të shënuar në cerek orën e fundit të takimit, por sidoqoftë kjo është fitorja e vetme e bardhezinjve në katër sfiadat e fundit ndërmjet dy klubeve.