Vdes ish-hendbollisti dhe trajneri i njohur kosovar
Federata e Hendbollit e Kosovës ka njoftuar për vdekjen e Afrim Qorrolit, ish-hendbollistit dhe trajnerit 58-vjeçar nga Komuna e Shtimes.
Afrim Qorrolli ishte i lindur në Rashincë të Shtimes më 28 nëntor të vitit 1961. Kishte të kryer Fakultetin e Bujqësisë. Qorrolli ishte ngushtë i lidhur me klubin e Vjosës së Shtimes.
Karrierën në hendboll e kishte nisur te Vjosa në vitin 1976. Ishte inkuadruar për herë të parë në ndeshjen Lepenci – Vjosa. Deri në vitin 1990 ishte portier, por në mungesë të lojtarëve është aktivizuar edhe në pozita tjera si qendër, alo e bek. Në vitin 1991 ishte shpallur hendbollist i vitit nga Lidhja e Pavarur e Sporteve dhe po ashtu sportist i vitit në komunën e Shtimes. Me mirënjohje ishte shpërblyer edhe në vitet 1993, 1995, 1997 dhe 2000.
Ai ka qenë pjesë e të gjitha sukseseve të klubit Vjosa. Ishte lojtari me më së shumti paraqitje te Vjosa. Në vitin 2008 përfundoi karrierën si lojtar, por mbeti pjesë e rëndësishme e klubit Vjosa.
“Ka vdekur Afrim Qorrolli, personalitet i rëndësishëm i hendbollit dhe i sportit nga komuna e Shtimes. Qorrolli ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare, por kontributi i tij dhe vlerat e tij do të kujtohen shumë gjatë. Komuniteti i hendbollit në përgjithësi dhe qyteti i Shtimes në veçanti kanë mbetur pa një person shumë të rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e FHK-së.























