Kallaku i bashkohet kolonisë së shqiptarëve tek Lokomotiva
BKT
Sport

Kallaku i bashkohet kolonisë së shqiptarëve tek Lokomotiva

Sherif Kallaku te Lokomotiva e Zagrebit. Mesfushori bën hopin cilësor të karrierës me bekimin e Teutës, që përfiton nga ky transferim shumën e 150 mijë eurove, duke ruajtur edhe 10 për qind të kartonit të 22-vjeçarit.

Ky ishte viti i shpërthimit përfundimtar të Kallakut, vlerat e të cilit kanë spikatur që në ekipet e të rinjve dhe nuk vihen në diskutim, por në sezonin që mbyllet konfirmoi, veç aftësive teknike, se është dhe një lider, duke u kthyer në protagonistin kryesor të Teutës. 14 gola të shënuar, duke thyer çdo rekord në planin personal. Vetë ishte shprehur se e priste një transferim jashtë vendit dhe ja ku vjen kalimi në Kroaci, terren i shëndetshëm për rritjen e mëtejshme, siç konfirmojnë edhe eksperiencat e mëparshme, Myrto Uzuni për shembull, që pas shpërthimit te Lokomotiva siguroi një kontratë të majme me Ferencavaroshi në Hungari për plot 1.8 milionë euro.

Kallaku, edhe pas largimit të tij, gjen te Lokomotiva një koloni shqiptarësh, duke nisur nga Mersinaj, Çoka, Tuci e Lirim Kastrati, një ambient i shëndetshëm për rritjen e mëtejshme, pa harruar faktin se me Lokotivën ka mundësi që të luajë që këtë verë në kompeticionet europiane.

Lë Teutën pas dy sezonesh në kampin bregdetar, me klubin që përvçse 150 mijë eurove “cash” ruan edhe 10 për qind të kartonit, një veprim që ka rezultuar me goxha leverdi këto kohët e fundit si për Laçin apo Tiranën që duke vepruar në të njëjtën mënyrë respektivisht me Uzunin e Merveill përfituan shuma të rëndësishme nga rishitja e tyre.