Arrestohen dy persona në Malishevë, dyshohen për tentim vrasje

Arrestohen dy persona në Malishevë, dyshohen për tentim vrasje

Të dielën janë arrestuar dy persona në Malishevë, pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale të tentim vrasjes.

Një gjë e tillë, për “Betimi për Drejtësi”, është bërë e ditur nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj

Sipas Xhurkajt, për shkak të disa ngatërresave të vazhdueshme familjare, të dyshuarit kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të një viktime, por sipas tij të njëjtit nuk kanë arritur që ta qëllojnë atë.

“Për shkak të disa ngatërresave të vazhdueshme familjare dy persona kanë gjuajtur me armë në drejtim të një viktime. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore ku një armë është sekuestruar, kurse njëri prej të dyshuarve ka dorëzuar vetë armën”, tha Xhurkaj.

Xhurkaj gjithashtu bëri të ditur se të dyshuarit, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe se rasti po vazhdon të hetohet. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi