Lazio arrin akordin me Vedat Muriqin dhe David Silvën

Lazio arrin akordin me Vedat Muriqin dhe David Silvën

Drejtori Sportiv i Lazios, Igli Tare është mësuar tashmë që të alternojë pushimet e verës, me takime të rëndësishme pune, pasi kjo është stina ku klubet e futbollit “hedhin themelet” e sezonit, duke kompletuar organikën.

Ashtu siç ka bërë gjithmonë në vitet e fundit ,edhe këtë verë Tare ka punuar mjaft mirë dhe sipas mediave italiane, brenda kësaj jave pritet të zyrtarizohen dy futbollistë të rinj te klubi i Lazios.

I pari është fantazisti i njohur spanjoll David Silva, të cilit i përfundon kontrata me Manchester City-n dhe në moshën 34-vjeçare është joshur për një transferim në Itali, ku Tare i ka bërë gati një kontratë të vlefshme për 3 sezonet e ardhshme.

Emri tjetër që pritet t’u bashkohet bardhekaltërve këto ditë, është ai i sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi. Ky i fundit ka spikatur me turqit e Fenerbahces, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane, por garën duket se e ka fituar Tare.

Drejtori Sportiv i Lazios ka arritur marrëveshjen me turqit e Fenerbahces për një shifër prej 16 milionë eurosh, plus 4 të tjera në formë bonusi, ndërsa Muriqi pritet të nënshkruajë për 4 sezone me bardhekaltrit.

Te Lazio sulmuesi i Kosovës pritet të marrë vendin e Philippe Caicedos, i cili pritet të lërë kryeqytetin italian, ndërsa trajneri Inzaghi ka projektuar pikërisht Muriqin në krah të bomberit të skuadrës Ciro Immobile.