FFK pret në takim drejtuesit e gjashtë klubeve

FFK pret në takim drejtuesit e gjashtë klubeve

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu kanë pritur sot përfaqësuesit e klubeve të cilat janë ngjitur një kategori më lart për edicionin e ri 2020/2021.

Ato janë: Besa dhe Arbëria si anëtare të reja të Superligës, Kika dhe A&N si anëtare të reja të Ligës së Parë si dhe Vjosa e Dushkaja si anëtare të reja të Ligës së Dytë.

Me këtë rast presidenti Ademi i përgëzoj këto klube për ngjitjen në një rang më të lartë të garave, duke shprehur shpresën se tani organizimi i tyre do të shënojë ngritje, teksa inkurajoj që të punojnë me vendosmëri për krijimin e kushteve sa më të mira për futbollistët, për të dëshmuar se kanë kapacitetet e nevojshme për ligat në të cilat do të marrin pjesë dhe kësisoj t’i shërbejnë edhe ngritjes dhe zhvillimit të mëtejmë futbollit në vendin tonë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e klubeve shprehën respektin maksimal për krerët e FFK-së për kujdesin e treguar ndaj klubeve në periudhën e vështirë të pandemisë.

Ata u zotuan për organizim sa më të mirë në edicionin e ri të garave.