Duka: Suksesi i klubeve tona nuk është rastësi
Armand Duka, presidenti i FSHF-së, i entuziazmuar për kualifikimet e skuadrave shqiptare në Europa League, ka vendosur të flasë për “fshf.org” dhe nuk komenton vetëm këtë sukses.
Ai thekson se formula e kampionatit i ka ndihmuar skuadrat të përforcohen dhe vlerëson aktivizimin e të rinjve nëpër klube. Ndikimi i infrastrukturës është i dukshëm, ndërkohë që Duka flet edhe për mundësinë që kanë klubet për t’u rritur edhe më shumë prej të ardhurave të përfituara nga kalimet e tureve në kompeticionet europiane.
ECURIA NË EUROPË – “Suksesi i skuadrave shqiptare në Europa League konfirmoi së pari faktin se cilësia e kampionatit kombëtar Kategoria Superiore është rritur ndjeshëm dhe kjo është thelbësore. Ballafaqimi me skuadrat e vendeve të ndryshme në Europë tregoi se jemi bërë më konkurrues, mbase si kurrë më parë.
Sidomos dy fitoret në transfertë, ajo e Tiranës në Gjeorgji dhe e Laçit në Azerbajxhan ishin prova më e mirë se suksesi nuk është aspak rastësor dhe se klubet shqiptare kanë bërë përmirësime të ndjeshme në aspektin e menaxhimit. Por edhe Teuta ndaj Beitar Jerusalem dhe Kukësi ndaj Slavia Sofjes kanë shkëlqyer në turin e parë. Na kanë bërë të ndihemi krenarë”.
NDIKIMI I SUPERIORES ME 10 EKIPE – “Unë mendoj se formula e Kategorisë Superiore me 10 skuadra është me optimalja dhe më efektivja. Kjo formulë ka rritur ndjeshëm konkurrencën, duke i detyruar klubet në një farë mënyrë që të synojnë te cilësia e futbollit dhe afrimi i talenteve. Gara ka qenë shumë më e fortë në fushë, si përsa i përket majës së renditjes, ashtu edhe në luftën për mbijetesë. Konkurrenca ka patur mjaft efekte pozitive”.























