Pandemia mund ta lë Kosovën pa lojtarët kyç para ndeshjeve të shtatorit
Benjamin Kololli, Hekuran Kryeziu, Idriz Voca janë tre futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës që luajnë momentalisht në Zvicër.
Tre futbollistët në fjalë janë ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes për ndeshjet e muajit shtator në Ligën e Kombeve kundër Moldavisë (3 shtator) dhe Greqisë (6 shtator).
Megjithatë, masat anti-COVID të vendosura nga shteti helvetik mund t’i paraqesin probleme të mëdha tre futbollistëve, të cilët pas rikthimit në Zvicër, do të duhej të futeshin në karantinë për 14 ditë.
Kjo gjë ka shkaktuar “trubullira” te Përfaqësuesja e Kosovës, nga e cila, menaxheri Bajram Shala është duke punuar mjaft shumë në këtë drejtim për t’i zgjidhur këto probleme.
Në një bisedë me “Zeri.info”, Shala ka thënë se është në kontakt me klubet dhe futbollistët në fjalë, dhe shpreson se mund t’i bëjë një zgjidhje kësaj pune.
“Pandemia ka shkaktuar probleme në baza globale. Të gjitha Kombëtaret i kanë problemet e njejta. FIFA, shtëpia më e madhe e futbollit në botë u ka dërguar nga një letër skuadrave se nuk janë të detyruara t’i lirojnë futbollistët për Kombëtaret përkatëse”, ka deklaruar të premten Bajram Shala për “Zeri.info”.
Menaxheri i “Dardanëve” e ka pranuar se me një problem të ngjashëm është duke u përballur edhe Milot Rashica, pasi që po flitet edhe mundësia për karantim për ata që vijnë nga Koosva në Gjermani.
“Edhe me Milotin është çështja e njejtë. Ne jemi në kontakt me të. Ka biseduar me klubin e tij (Werder Bremenin) dhe ne po presim përgjigjje”, u shpreh Shala.
Përveç Rashicës, nga Përfaqësuesja e Kosovës në Gjermani luan edhe Leart Paqarada.























