Challandes nënshkroi kontratën me FFK-në para mediave
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes e ka nënshkruar solemnisht kontratën e re me Federatën e Futbollit të Kosovës, për periudhën 2020-2022.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në konferencën për media nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe trajneri zviceran. Marrëveshja e re u arrit disa ditë më parë, pas një takimi që presidenti Agim Ademi së bashku me sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu e kanë zhvilluar me trajnerin zviceran, e ku palët u dakorduan që ta vazhdojnë rrugëtimin e përbashkët edhe për dy vjet.
Deri te marrëveshja e re erdhi si rezultat i punës së mirë dhe sukseseve të arritura të Dardanëve në periudhën 2018/2020, derisa me punën e trajnerit zviceran kanë qenë të kënaqur të gjithë.
Në anën tjetër, edhe Challandes është i kënaqur me punën, kushtet dhe gjithçka që ofron FFK-ja. Tani, përqendrimi është tek dy ndeshjet e radhës kundër Moldavisë dhe Greqisë, me shpresë dhe besim për suksese të reja.
Duke folur për dy ndeshjet e radhës Challandes u ankua se do ta ketë shumë të vështirë ta përgatisë një ekip të vetëm për këtu dy ndeshje.
Zvicra, ku luajnë shumë futbollistë të dardanëve, është ndër shtetet që detyron karantinimin për cdo person që kthehet nga Kosova në këtë shtet.
Për këto ndeshje, përveç Milot Rashicës që po raportohet se nuk është lejuar nga Werder Bremen që të vijë të luajë për Kosovën, ka disa ditë që Gazeta Express ka raportuar edhe për Benjamin Kololli, Hekuran Kryeziu dhe Idriz Voca, që gjithashtu mund të mungojnë, pasi kur të kthehen, janë të detyruar të futen në karantinë për dy javë.
“Nuk dua të flas me emrat të veçantë, por ata do të jenë për ndeshjen me Moldavinë dhe do të mundë të kthehen në shtetet e tyre ka pasur nevojë të futen në karantinë, ndërsa ne me pjesën tjetër të ekipit do të kthehemi në Prishtinë për ndeshjen me Greqinë”, tha Challandes.
“Është e vështirë të mundesh vetëm për futbollin në këtë kohë, por duhet të përshtatemi”, shtoi ai.
“Nuk është e lehtë ta kem një ekip të komponuar sepse kemi lojtar që sapo i kanë nisur përgatitjet, kemi lojtarë që janë në pritje të ndërrimit të skuadrës, kemi lojtarë që nuk kanë luajtur që prej përfundimit të kampionatit dhe nuk kanë stërvitur, kështu që është periudhë e vështirë për të gjetur ekip ideal për ndeshjet e shtatorit”, nënvizoi ai.























