Mbi 20 mijë persona u kallëzuan penalisht gjatë viteve 2013-2019

Mbi 20 mijë persona u kallëzuan penalisht gjatë viteve 2013-2019

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), të hënën, ka mbajtur mbledhjen e 184-të me radhë, në të cilën u miratua raporti “Gjeografia e Krimit 2013-2019”.

Sipas këtij raporti, i cili u referua në pika të shkurta nga anëtari i Këshillit, Arben Ismajli, del se gjatë periudhës shtatë vjeçare, 2013 – 2019, prokuroritë në Kosovë kanë pranuar kallëzime penale për 20,167 persona, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këto kallëzime penale janë bërë për veprat penale që hyjnë në kuadër të veprave penale karakteristike, ku përfshihen ato të kategorive si, armët, drogat, kontrabanda me migrantë, krimi organizuar, korrupsioni, shpërlarja e parasë, trafikimi me qenie njerëzore, fshehja e dokumenteve të identifikimit të viktimave, krimet ekonomike dhe nxitja e urrejtjes.

Prej këtij totali të kallëzimeve penale, Ismajli tha se për 11,888 persona apo në 58 % të rasteve, prokuroritë kishin ngritur aktakuza. Kurse, gjykata kishin shpallur fajtor 6,333 persona apo 53.42 % të personave të akuzuar.

Sipas raportit, nga tërësia e kallëzimeve penale ndaj 20,167 personave, me aktgjykime fajësuese janë dënuar gjatë këtyre shtatë viteve të fundit, 31.41 % të personave.

Sa i përket regjioneve, Ismajli tha se në këtë aspekt prinë Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka pranuar 33.49 % të kallëzimeve penale, kurse, nivelin më të ulët të pranimit të kallëzime penale e kishte pasur Prokuroria Themelore në Gjakovë, e cila gjatë periudhës 2013-2019, kishte pranuar 5.23 % të kallëzimeve penale nga tërësia e të gjitha kallëzimeve penale.

Kurse, sa i përket veprave penale, Ismajli tha se prinë kategoria e drogave për të cilën ishin bërë kallëzimet penale në 40.65 % të rasteve kurse nivelin më të ulët e kishte pasur kategoria e veprave penale të nxitjes së urrejtës.

Shikuar në përgjithësi, Ismajli tha se sipas raportit, del në nivel vendi gjatë këtyre shtatë viteve të fundit, është një preson i akuzuar në çdo 108 banorë ndërsa një person i dënuar në çdo 202 banorë.

Para se të miratohej raporti, një diskutim të shkurtë lidhur me të e patën kryesuesi i Këshillit Bahri Hyseni dhe anëtarja Ikramije Bojaxhiu.

Hyseni tha se tek veprat penale karakteristike, ideja ka qenë që të hiqen veprat penale të cilat bien në Departament të Përgjithshëm, e ku e përmendi posedimin e narkotikëve në sasi të vogla prej 2-3 gram.

Kjo pasi siç tha Hyseni, tek veprat penale që hyjnë në kategorinë e drogave, rreth 90 % të tyre kanë të bëjnë me posedimin e narkotikëve, ndërsa për të qenë korrekt me publikun, Hyseni tha se nuk duhet të krijohet përshtypja që po kemi të bëjmë me prodhim apo me trafikim.

Edhe Bojaxhiu i rekomandoi Këshillit, që në këtë aspekt të përdoret parimi që është tek kategoritë e armëve dhe i njëjti të zbatohet edhe te kategoria e drogave.

Gjatë mbledhjes, KPK miratoi edhe raportin e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel. Kryesuesja e këtij komisionit, Dëshirë Jusaj tha se kanë mbajtur shtatë takime ku kanë diskuar çështje të ndryshme duke përfshirë edhe miratimin e raportit financiar për vitin 2019, vlerësimin e jashtëm për vitin 2021 dhe 2022, shqyrtimin e kërkesës për buxhet për vitin 2021, kornizën afatmesme të shpenzimeve dhe të ngjashme. Kurse, sa i përket buxhetit në tërësi, Jusaj tha se janë realizuar në total, 54 % të buxhetit.

Lidhur me këtë, kryesuesi tha se shpreson që deri në fund të vitit të ketë shpenzim korrekt të buxhetit duke shtuar se edhe raportet e auditimit e kanë nxjerr mirë KPK në këtë aspekt, pasi siç tha, nuk ka asnjë shkelje të evidentuar në raportet në fjalë.

Por, Hyseni pati kritika për shkurtimin e buxhetit që i është bërë Këshillit, për të cilin tha se ka ndodhur përkundër insistimit, takimeve dhe letrave që i kishin dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Hyseni tha se shkurtimi i buxhetit ka prekur edhe në kontratat që tashmë Këshilli veçse i ka nënshkruar për investime, ndërsa e përmendi edhe një propozim që i kishin bërë Kuvendit për të investuar në Pallatin e Drejtësisë ku do të mundësohej hapja e dritareve. Pasi Kuvendi nuk e kishte marr parasysh, Hyseni tha se janë pajtuar me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, që së bashku me mjetet e tyre të bëjnë një investim të tillë.

Po ashtu, me propozim të kryesuesit Hyseni, Këshilli votoi unanimisht që ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të zgjidhet prokurori Ali Uka.

Deri të zgjedhja e tij erdhi pasi që kryeprokurori i kësaj prokurorie, Ali Selimaj, ka ndërruar jetë ditë më parë.

Gjatë kësaj mbledhje, betimin e tij si anëtari i ri i KPK-së e bëri edhe Agron Beka, të cilin Kuvendi e ka zgjedhur si anëtar nga profesorët e fakulteteve juridike në Kosovë.

Tri pikat e fundit të rendit të ditës, që kishin të bëjnë me raste disiplinore dhe raporte për vlerësim të përfomancës së prokurorëve, me kërkesë të kryesuesit Hyseni u vendosën që të mbahen të mbyllura, pa praninë e publikut.

Shkaku i pandemisë Covid-10, kjo mbledhje e KPK-së u mbajt përmes platformës Zoom. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi