Deklarohet fajtor i akuzuari për zjarrvënie të veturës së policit

Deklarohet fajtor i akuzuari për zjarrvënie të veturës së policit

I akuzuari për dy vepra penale të zjarrvënies, Lirim Elezaj, është deklaruar fajtor në seancën e shqyrtimi fillestar të së martës, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferri, e pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Arben Kelmendi, i akuzuari ka deklaruar se e ndien vetën fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet, duke shprehur keqardhje për veprimet bëra, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E pranoj fajësinë për të dyja veprat. Unë personalisht jam ndier i fyer nga i dëmtuari kur kam dëgjuar se më ka sharë vëllain, andaj kam reaguar ashtu siç kam reaguar. Dua të shtoj se jam i gatshëm t’i kompensoj dëmin të dëmtuarit në qoftë se më ipet rasti të punoj.”, ka thënë i akuzuari Elezaj.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Nallbani-Gacaferri, e cila tha se një veprim i tillë ka mbështetje në shkresat e lëndës dhe është bërë me vullnet të lirë, duke i propozuar gjykatës që të pandehurit, pranimi i fajësisë t’i merret si rrethanë lehtësuese tek matja e dënimit.

Edhe mbrojtësi i të pandehurit, avokati Arben Kelmendi ka deklaruar se pajtohet me pranimin  e fajësisë nga ana e të mbrojturit të tij, pasi siç tha ai është bërë me vullnetin e tij të plotë qysh në fazat e hershme të procedurës, e duke vazhduar edhe në gjykatë.

“Po ashtu kërkoj nga gjykata që me rastin e vendosjes së dënimit ndaj të mbrojturit tim, pranimin e fajësisë së tij qysh nga fillimi i procedurës ta merr si rrethanë lehtësuese. E po ashtu si rrethanë lehtësuese ta merr edhe pendimin e tij dhe premtimin se në të ardhmen nuk do të përsëris më vepra të ngjashme apo tjera, si dhe faktin se i mbrojturi im është i gatshëm që ta kompensoj të dëmtuarin nëse i ipet rasti të punoj”, ka thënë Kelmendi.

Ndërkaq, gjykatësi Arben Mustafaj tha se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 3 shtator 2020, nga ora 11:00.

Ndryshe aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e ngritur më 10 prill 2020, e ngarkon të akuzuarin Lirim Elezaj me dy vepra penale të zjarrvënies, nga neni 322 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 23 shtator 2019, rreth orës 02:00, në fshatin Banjë të Komunës së Istogut, me qëllim të dëmtimit të pasurisë së të dëmtuarit – zyrtarit policor Luan Elshani, i pandehuri i ka vu zjarrin veturës së llojit “Passat”, pronë e të dëmtuarit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri veprimin e ka kryer në shenjë hakmarrje ndaj të dëmtuarit, në lidhje me një rast që ky i fundit ka zhvilluar ndaj vëllait të tij.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri, veprimin e lartcekur e ka kryer duke e hedhë një shishe me benzinë në veturën e të dëmtuarit, e duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes pa u vërejtur nga askush.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri më 28 mars 2020, rreth orës 03:27, në fshatin Banjë të Komunës së Istogut, me dashje dhe në bashkëveprim me të miturin A.SH, i vënë zjarrin veturës së të dëmtuarit në të njëjtën mënyrë si më lartë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të miturit në ikje e sipër i ka rënë kuleta afër vendit të ngjarjes, ku nga ana e policisë janë identifikuar dy të lartcekurit si bashkëkryerës të kësaj vepre penale. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi