Supremja konfirmon fajësinë e të dënuarit për grabitjen e këmbimores

Supremja konfirmon fajësinë e të dënuarit për grabitjen e këmbimores

Përveç Gjykatës Themelore në Pejë dhe Gjykatës së Apelit, edhe Gjykata Supreme e ka vërtetuar fajësinë e Skifter Beqirajt, që akuzohej për grabitjen e një këmbimoreje në Pejë.

Kjo pasi Supremja e ka refuzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të pandehurit, avokatit Salih Mekaj, i cili pretendonte se vendimet gjyqësore të instancave më të ulëta ishin të përfshira në shkelje të ligjit penal në dëm të mbrojturit të tij dhe shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Beqiraj akuzohej se në këmbimoren “Te Gazi”, me tre persona të paidentifikuar kishin marrë nga kasaforta 146,499,00 franga zvicerane, 27,433 dollarë amerikanë, 52 mijë e 90 euro, 1,237,23 euro në valuta të ndryshme norvegjeze, suedeze, 262.95 lekë, si dhe ari në vlerë prej 15 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këto veprime, në tetor të vitit kaluar, Beqiraj ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 6 vjet burg dhe 3,000 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë së Pejës, duke e rritur dënimin me burg efektiv në 7 vjet.

Avokati Salih Mekaj,  gjatë gjykimit kishte kontestuar dhe propozuar të administroheshin si prova certifikatat e kalibrimit të pajisjeve laboratorike në të cilat është bërë analiza e ADN-së, analiza këto të cilat kishin identifikuar se njollat e gjakut në xhaketën e të dëmtuarit i përkisnin tani të pandehurit Skifter.

Një kërkesë të tillë avokati Mekaj e ka paraqitur edhe në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, ku ka pretenduar se gjykatat nuk kishin dhënë arsye për shkaqet e refuzimit  për administrimin e provave të certifikatave të kemikateve që janë përdorë në analizën e ADN-së dhe kalibrimit të laboratorit, certifikatat e akreditimit për ekspertët të cilët e kanë bërë këtë analizë.

Po ashtu, Mekaj pretendonte se gjykata nuk kishte dhënë arsye për propozimin e tij për të siguruar një ekspertizë financiare dhe se, sipas tij, gjykata nuk ka vërtetuar përmes ekspertizës shumën e të hollave të cilat janë marrë nga këmbimorja e të dëmtuarit.

Avokati i të pandehurit Beqiraj para Supremes ka argumentuar se ekspertiza e ADN-së, e cila sipas tij është e vetmja provë në të cilën Gjykata e Pejës e ka bazuar vendimin e saj, ishte cenuar në masë të madhe, pasi sipas Mekajt, marrja e mostrave nuk ishte bërë në përputhje me standardet për sigurimin për marrjen dhe ruajtjen e provave biologjike.

Mirëpo sipas Gjykatës Supreme, gjykatat e shkallëve më të ulëta kanë dhënë arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare, duke përfshirë arsyet për kohën, vendin dhe mënyrën  e kryerjes së veprës penale dhe se e njëjta kishte bërë edhe vlerësimin e provave kontradiktore.

Sipas Supremes, fajësia e të pandehurit Beqiraj nuk ishte bazuar vetëm në ekspertizën e ADN-së, por edhe me dëshmitarët të tjerë, edhe pse të njëjtit nuk kishin qenë dëshmitar okular, e që sipas Supremes kishin provuar faktet e pakontestueshme se si ishte bërë hyrja në shtëpinë e të dëmtuarit, për të vazhduar në vend shikim tek këmbimorja e të dëmtuarit.

“Nga kjo ekspertizë shkencore, e që gjykata ia ka fal besimin, është vërtetua se në jaknen e të dëmtuarit  e cila është marr në shtëpinë e tij dhe është evidentua si dëshmia Ev#9, ka mbet gjurma e gjakut, e që pas analizimit të profilit të ADN, është vërtetua se Skifeter Beqiraj( # A..), nuk mund të përjashtohet si kontribuues i dytë i ADN-së”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Ndërsa pretendimet e mbrojtësit Mekaj, i cili kishte hedhur dyshimet për mjetet e punës së laboratorit në të cilin është bërë ekspertiza, sipas Supremes nuk janë të bazuara për faktin se ekspertët e forenzikës kishin argumentuar se laboratori i forenzikës dhe mjetet e punës ishin të kalibruara, kemikalet e përdorura kanë qenë të testuara dhe me afat, e se ekspertët kishin qenë të licencuar për bërjen e ekspertizës.

Pretendimin tjetër të mbrojtjes se gjykatat e ulëta nuk kishin vërtetuar me saktësi shumën e të hollave të grabitura dhe vlerën e saktë të sendeve të grabitura, Supremja ka vlerësuar se Gjykata e Pejës ka vepruar drejtë kur ka vlerësuar shumën e të hollave dhe sendeve të grabitura bazuar në deklaratën e të dëmtuarit, të cilat shuma sipas Supremes kishin qenë të përafërta shumat e konstatuara në një fletë me dorëshkrim të tij.

“Gjykata shumat e të hollave dhe sendet e grabitura natën kritike, i ka konsideruar të vërtetuara si të përafërta me ato të deklaruara, e me sigurinë më të madhe, që tejkalojnë shumën mbi 5.000 euro e që kjo shumë është element bazë kualifikuese të veprës penale të grabitjes sikur që përcakton neni 329 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 4 dhjetor 2018, Prokuroria Themelore në Pejë akuzonte Skifter Beqiraj, se më 27 dhjetor 2016, rreth orës 23:00, në Pejë, në rrugën “Halil Agusholli”, në marrëveshje paraprake mes tij dhe grupit tjetër, ku bëjnë pjesë së paku edhe tre persona, ende të paidentifikuar, kanë përdorë forcën ndaj Gazmend Gashit, për të përvetësuar pasurinë e luajtshme, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me personat tjerë, përmes çatisë depërtojnë në brendësi të shtëpisë të të dëmtuarit Gazmend Gashi, kur i dëmtuari hynë në korridor, të pandehurit i hudhen sipër duke e shtrirë në tokë me fjalët “policia, policia”, dhe me shirit ngjitës ia lidhin gojën dhe këmbët duke e tërhequr zvarrë deri në dhomën e pritjes, ku ia vënë prangat në duar pas shpine, e në kërkim të çelësave të këmbimores “Te Gazi”, pronë e të dëmtuarit që gjendet në qendër të Pejës, e godasin të njëjtin me mjete të forta në kokë dhe shpin, për ta detyruar të tregojë se ku i ka fshehur çelësat.

Më pas, i pandehuri Beqiraj me mjet të mprehtë ia prenë xhaketën të dëmtuarit, ku në xhepin e brendshëm i gjen çelësat dhe ia dorëzon njërit prej bashkëkryerësve, i cili më pas shkon në këmbimoren në fjalë dhe nga kasaforta merr 146,499,00 franga zvicerane, 27,433 dollarë amerikanë, 52 mijë e 90 euro, 1,237,23 euro në valuta të ndryshme norvegjeze, suedeze, 262.95 lekë, si dhe ari në vlerë prej 15 mijë euro. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi