Dështon të nis gjykimi ndaj deputetëve dhe ish-deputetëve

Dështon të nis gjykimi ndaj deputetëve dhe ish-deputetëve

Ka dështuar të mbahet sërish seanca fillestare në rastin ndaj deputetëve aktual Pal Lekaj dhe Donika Kadaj-Bujupi, si dhe ish-deputeteve Besa Baftiu e Albulena Haxhiu, të akuzuar për posedim të gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Njëjtë sikurse edhe seanca e kaluar e paraparë të mbahej më 30 korrik 2020 edhe seanca e paraparë të mbahej të mbahej këtë të mërkurë ka dështuar shkaku i mungesës së prokurorit Ilaz Beqiri dhe të akuzuarës, Donika Kada-Bujupi.

Gjykatësja e këtij rasti, Naime Krasniqi-Jashanica tha se prokurori Beqiri ka qenë i ftuar për këtë seancë dhe ka pranuar ftesën, mirëpo, i njëjti nuk ka ardhur për të prezantuar në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, sa i përket të akuzuarës, Kada-Bujupi, gjykatësja tha se për shkak të mungesës së zyrtares ligjore, nuk ka pranuar ndonjë njoftim se a e ka pranuar ftesën e akuzuara apo jo.

Me gjithë këtë, gjykatësja tha se është njoftuar nga e akuzuara Kada-Bujupi se nuk ka pranuar ftesë nga gjykata për këtë seancë.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty për 15 shtator 2020, ora 11:00.

Ndryshe, prezent në sallën e gjykimit ishin të akuzuarat tjera, ish-ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu me mbrojtësin e saj, avokatin Ahmet Ahmeti dhe ish-deputetja Besa Baftiu me mbrojtësin e saj, avokatin Naim Rudari, deputeti Pal Lekaj si dhe mbrojtësi i tij, avokati Arianit Koci dhe mbrojtësi i Kadaj-Bujupit, avokati Sylejman Klinaku.

Edhe seanca e paraparë të mbahej më 10 korrik 2020 kishte dështuar për shkak të mungesës së deputetes Kadaj-Bujupi, pasi as atëherë asaj nuk i kishte shkuar ftesa.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohet se pa autorizim kanë poseduar armë në atë mënyrë që, më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit që ju është bërë nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, te ta janë gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtëve duke i ngarkuar secilin veç e veç me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi