Prekazi e Morina besojnë në fitore kundër Greqisë
Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte në gjigantin ‘Fadil Vokrri’ përballet me Greqinë, në kuadër të Ligës së Kombeve, raporton RTKLive.com.
‘Dardanët’ të cilët tri ditë më parë barazuan në duel me Moldavinë, sonte synojnë fitore, edhe pse skuadra jonë në duel me helenet është në mungesë të disa lojtarëve përfshirë edhe dyshen më të mirë, Vedat Muriqin dhe Milot Rashicën të lënduar.
Megjithatë, tek Kombëtarja jonë ekziston një optimizëm i madh së mund të mposhtet Greqia, e cila në Prishtinë vjen pas barazimit pa gola me Slloveninë.
Përzgjedhësi i Kosovës U21, Rafet Prekazi në emisionin “Dardanët” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), shpreson se skuadra e jonë do të ketë paraqitje të mirë në duel me ish-kampionin e Evropës.
“Ata janë ish-kampion Evropë, ata kanë lojtarë të mirë, por edhe Kosova ka kualitet. Dashtë zoti që sonte të jetë i suksesshëm edhe ai topi i fundit”, tha Prekazi.
“Mendoj mentalitetin që kemi, mentalitet fituesi mund të bëjë sonte lojë të mirë”, theksoi Prekazi.
Ndërkaq, Arbnor Morina, një tjetër trajner i njohur në futbollin tonë, u fokosua më shumë tek formacioni që ka zgjedhur Challandës për duelin me grekët.
Morina beson se ndryshimet që janë bërë në formacion për shkak të mungesave të shumta, mund të bëjnë paraqitje të mirë në këtë duel tejet të rëndësishëm për Kosovën.
Ndeshja Kosova-Greqia nis në orën 20:45 dhe transmetohet në RTK. /RTKLive/























