Trupi gjykues vendosë ta rihapë shqyrtimin gjyqësor ndaj ish-inspektorëve

Trupi gjykues vendosë ta rihapë shqyrtimin gjyqësor ndaj ish-inspektorëve

Në seancën e planifikuar për shpalljen e aktgjykimit ndaj 10 ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës që po akuzohen për veprën penale të pjesëmarrjes në grupin kriminal të organizuar lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, të premten, trupi gjykues ka njoftuar palët që ka vendosur ta rihapë prapë shqyrtimin gjyqësor ndaj të njëjtëve.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, ka thënë se ky vendim ka ardhur pas prezantimit të fjalës përfundimtare të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, Komuna e Prishtinës, Arbër Istrefi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata do të kërkojë edhe njëherë nga i njëjti që t’i sjellë prova gjykatës se objektet që janë ndërtuar dhe që janë objekt i akuzës, a janë legalizuar apo është lëshuar leje për ndërtimin e tyre”, ka shtuar kryetari i trupit gjykues.

Tutje, trupi gjykues ka kërkuar nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar që këto prova t’i sigurojë në një afat kohor prej dy javësh.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 30 shtator 2002, në ora 13:00.

Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, po akuzohen se në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkohen edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohet edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 prill 2020, ish-shefin e sektorit të inspektoratit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, Ismet Halitin, e kishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Me aktgjykimin e shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, Ismet Halitit i ishte konfiskuar edhe vetura dhe para në shumën prej 11 mijë eurosh si dhe pistoleta.

Skënder Canolli, ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim si dhe me 1 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

Skënder Canollit po ashtu i ishte konfiskuar, makina e tipit “Passat” dhe 10 mijë franga zvicerane.

Inspektorja Blerina Syla ishte dënuar me 2 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Vehbi Abdullahu, gjithashtu me 2  vjet burgim, Blerim Ibishi me 2 vjet, Mergim Shala, me 2 vjet dhe gjithashtu i ishte konfiskuar banesa në lagjen “Kalabria”, derisa Drita Rukiqi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj, Arbenita Ajeti 1 vit e 6 muaj, Ardian Muhadri me 1 vit burgim, dhe Granit Cenaj 1 vit burgim.

Kurse, afaristi Qemajl Pozhegu, ishte dënuar me 20 mijë euro gjobë për falsifikim të dokumenteve.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve ishin ankuar në Apel, duke atakuar kështu aktgjykimin e Themelores nën pretendimet se ka shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal si dhe në lidhje me vendimin për sanksionin penal.

Duke aprovuar ankesat e mbrojtësve, në dhjetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Të njëjtit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina ”Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi