Gjyqtarja Lushta zgjedhet kryetare e Komisionit për Kompensimin e Viktimave

Gjyqtarja Lushta zgjedhet kryetare e Komisionit për Kompensimin e Viktimave

Në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të martën, u vendos që gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Nesrin Lushta, të rizgjedhet kryetare e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Lushta, e cila e ka ushtruar këtë pozitë deri më tash, u propozua nga kryesuesi i KGJK-së, Skënder Çoçaj, për të cilin propozim votuan të gjithë anëtarët e Këshillit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në bazë të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, parashihet që mandati i kryetarit të Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit është katër (4) vjeçar.

Përpos kësaj çështje, në takimin e KGJK-së u diskutua edhe çështja e funksionimit të gjyqësorit në kohën e pandemisë Covid-19, mbajtja e seancave online, konkursi për përkthyes dhe interpret gjyqësor, si dhe problemet që janë duke ndikuar në shtyrjen e seancave gjyqësore.

Kryesuesi Çoçaj tha se në bazë të bisedave që i ka pasur në vazhdimësi me kryetarët e gjykatave, në të gjitha gjykatat aktualisht janë duke u mbajtur të gjitha seancat gjyqësore, duke shtuar se i është drejtuar atyre me një shkresë me të cilën ka kërkuar që tu ipet prioritet lëndëve të shënjestruara për liberalizimin e vizave.

Çoçaj shtoi se ai ka biseduar me kryetaren e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyqi dhe janë dakorduar që lëndët në të cilat janë të përfshirë shumë të akuzuar, seancat e tyre të mbahen edhe në ambiente jashtë Pallatit të Drejtësisë, siç janë “Salla e kuqe” apo “Kinemaja ABC”.

Edhe anëtarët e KGJK-së, Driton Muharremi dhe Avni Mehmeti, thanë se përderisa situata me pandemi në Kosovë është përmirësuar, duhet që gjyqtarët të mos shtyjnë gjykime duke u thirrur në pandeminë, mirëpo gjithmonë duke i zbatuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Tani ka ardhë koha që të kemi një pasqyrë të qartë e ku është gjendja sot në të gjitha gjykatat se a janë tu u caktu vetëm lëndët urgjente apo edhe tjerët pasi kemi përgjegjësi para qytetarëve sepse ka një numër të madh të lëndëve dhe për një kohë të gjatë nuk është punu”, tha gjyqtari Mehmeti.

Kryesuesi Çoçaj po ashtu tha se në këtë situatë gjyqtarët kanë mbajtur edhe seanca online, për të cilat deri më tash nuk është raportuar ndonjë problematikë.

Në këtë takim, kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave, Ćerim Fazliji, paraqiti raportimin me rekomandime për evitimin e shtyrjeve të seancave. Lidhur me këtë, në diskutimet e bëra, gjyqtari Avni Mehmeti tha se mungesa e avokatëve, prokurorëve, anëtarëve të trupit gjykues, paraqitja e provave të reja gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe problemeve me dorëzimin e ftesave janë arsyet kryesore të shtyrjes së seancave gjyqësore.

Për këtë, kryesuesi Çoçaj tha se do ta caktoj një takim me kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) rreth çështjes së mungesës së avokatëve në seanca, ndërsa në rastet kur prokurorët mungojnë, ai tha se i mbetet gjyqtarëve që për këto mungesa ta njoftojnë kryeprokurorin e prokurorisë përkatëse.

Në rastet e mungesës së anëtarëve të trupit gjykues, ai tha se kur këtë e bëjnë pa ndonjë arsye, ndaj atyre gjyqtarëve duhet të iniciohet procedurë disiplinore.

Gjatë këtij takimi, po ashtu si anëtarë i Komisonit për Administrimin e Gjykatave u caktua gjyqtari Driton Muharremi, ndërsa u formua edhe Komisioni për trajnime, të cilin do ta kryesoj gjyqtari Vilard Bytyqi, ndërsa anëtarë do të jenë gjyqtarët Radojka Trifunoviq dhe Avni Mehmeti.

KGJK-ja gjithashtu vendosi që Komisioni për Administrim e Gjykatave të vlerësoj listën e kandidatëve për anëtarë të Komisionit për vlerësimin e kandidatëve për përkthyes dhe interpret gjyqësor, e po ashtu u vendos që të shfuqizohet vendimi i KGJK-së, sipas të cilit për shkak të pandemisë ishin pezulluar afatet për shqyrtimin e raporteve të paneleve hetimore.

Ndërsa në këtë takim, me dyer të mbyllura janë diskutuar pikat e tjera në të cilat përfshihen rekomandimi për caktimin e gjyqtarëve në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe shqyrtimi mbi faktet dhe provat e katër rasteve disiplinore ndaj gjykatësve. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi