Morina shumë i kënaqur me angazhimin e lojtarëve
Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina është shprehur i kënaqur që skuadra e tij as pas javës së 4-t në Superligë nuk ka pësuar humbje. Pas barazimit të sotëm me Feronikelin 0:0, skuadra e Morinës mbetet në pozitën e parë me 8 pikë.
“Jam shumë i kënaqur me atë çfarë po tregojnë këta djem prej ditës së parë në stërvitje e deri më sot nga ndeshja në ndeshje. Kjo është një eksperiencë e re prej shumicën e tyre. Djemtë po e kryejnë punën në mënyrën më të mirë dhe përgëzimet shkojnë vetëm për ta”, ka theksuar Morina pas ndeshjes.
Më pas ish-tekniku i Gjilanit foli edhe për sfidën ndaj ish-skuadrës së tij pikërisht në xhiron e radhës, si dhe për atë nëse skuadra e tij do ta ketë fatin e Flamurtarit, që edicionin e kaluar kryesoi renditjen në javët e para por në fund u përshëndet nga elita.
“Ne kemi transferuar disa lojtarë të cilët i kemi njohur prej Superligës dhe tre nga jashtë, të gjithë këta lojtarë i kemi afruar me dëshirën që me t’ia bashkëngjisim kontingjentit të atyre futbollistëve që kanë luajtur me Arbërinë në Ligën e Parë dhe me qëllimin për ta krijuar një skuadër sa më kompakte. A do ta kemi fatin e Flamutarit? Nuk është që Flamurtari gjithçka ka humbur në fushën e lojës, janë disa çështje tjera. Ne punojmë për me qenë ekip stabil dhe këta djemtë e kanë treguar këtë me punën e tyre. Gjilani? Një ndeshje e radhës ndaj një super ekipi të përforcuar. Gjilani është një skuadër shumë e fortë, por ne do të vazhdojmë në këtë rrugë. Është diçka e re për këta djemtë të luajnë çdo tri-katër ditë, por deri më tash e kanë kryer me sukses punën”, ka nënvizuar Morina.























