Për të tretën herë në rigjykim rasti ndaj të akuzuarit për terrorizëm

Për të tretën herë në rigjykim rasti ndaj të akuzuarit për terrorizëm

Me tri vendimet liruese të shkallës së parë për të akuzuarin për terrorizëm, Leunis Frangu, nuk po pajtohet gjykata e shkallës së dytë, e cila për të tretën herë më radhë e ka kthyer rastin e tij në rigjykim.

Frangu po akuzohet se më 3 nëntor 2014, përmes aeroportit të Prishtinës kishin shkuar në Turqi, e prej aty kishte kaluar në Siri për t’iu bashkangjitur organizatës terroriste “ISIS”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktakuzën e saj të ngritur me 25 shkurt 2016, nuk ka arritur asnjëherë ta vërtetojë në gjykatë, kjo pasi që gjykata e shkallës së parë tri herë radhazi për shkak të mungesës së provave është duke shpallur aktgjykim lirues.

Për herë të parë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 27 shkurt 2016, Frangun e kishte liruar nga akuza për terrorizëm, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e PSRK-së, duke e kthyer rastin në rigjykim, pasi kishte konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk kishte dhënë fakte vendimtare kur kishte marrë aktgjykim lirues.

Apeli kishte konstatuar se aktgjykimi ishte në kundërshtim me vetveten, pasi sipas saj, shkalla e parë nuk e kishte kontestuar se i akuzuari ka qenë në Siri, por lirimin e të akuzuarit e kishte bazuar në atë se nuk dihej se cilës organizatë terroriste i ka takuar Frangu.

Mirëpo, edhe pas kthimit të lëndës në rigjykim, gjykata e shkallës së parë, përsëri me 8 janar 2019 e kishte liruar Frangun nga akuza për terrorizëm.

Gjykatësi Beqir Kalludra, në arsyetimin e shkurtër të këtij aktgjykimi, kishte thënë se nuk ishte kontestuese që i akuzuari Frangu kishte shkuar në Siri, por sipas tij, nuk ishte vërtetuar elementi qenësor i veprës që i akuzuari kishte qenë pjesë e ndonjë grupi terrorist.

Sipas tij, prokuroria nuk kishte sjellë prova të mjaftueshme që i akuzuari të shpallet fajtor dhe se në kohën kur pretendohet se i akuzuari kishte kryer veprën penale, nuk kishte qenë në fuqi ligji i cili tashmë sanksion edhe shkuarjen në Siri.

Pasi Frangu për herë të dytë ishte liruar nga akuza, PSRK përsëri kishte parashtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Këto pretendime të PSRK-së i kishte marrë për bazë Gjykata e Apelit, e cila më 25 nëntor 2019, e kishte kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë në rigjykim duhet të eliminojë të gjitha paqartësitë në lidhje me atë se cila ishte arsyeja e udhëtimit të të akuzuarit në Siri, nëse ai nuk i ishte bashkëngjitur ndonjë grupi terrorist, sepse sipas Apelit, ai 15-17 ditë kishte ushtruar dhe ishte armatosur.

Edhe pasi rasti ishte kthyer për të dytën herë në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, përsëri, për të tretën herë me radhë, saktësisht me 19 shkurt 2020, Frangun e kishte liruar nga akuza në mungesë të provave.

Sipas gjykatësit Kalludra, në dispozitiv të aktakuzës thuhet se Frangu i ishte bashkangjitur ISISI-it, por sipas tij në asnjë procesverbal, apo në deklaratën e Blerim Sylës, e as në deklaratat e dëshmitarit të mbrojtur, asnjëherë nuk ishte përmendur organizata terroriste ISIS, ndërsa sipas tij asnjëherë nuk kishte qenë kontestuese shkuarja e të akuzuarit në Siri.

Po ashtu, sipas gjykatësit Kalludra, në gjitha aktakuzat kur nuk ishte vërtetuar saktësisht grupi terrorist edhe në raste të tjera të akuzuarit ishin liruar, prandaj sipas tij, nuk kishin mundur të vlerësonin se grupi kishte qenë terrorist, e aq më pak ISIS apo Al Nustra.

Por, Gjykata e Apelit, me 31 gusht 2020, kishte aprovuar ankesën e PSRK-së dhe lëndën ia kishte kthyer përsëri gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ishte përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, aktgjykimi ishte në kundërshtim me arsyetimin e tij i cili sipas kësaj gjykate ishte i paqartë, konfuz dhe kontradiktor në brendinë e tij, duke mos dhënë arsye të qarta lidhur me vërtetimin e fakteve relevante.

Sipas kësaj gjykate, trupi gjykues kishte aprovuar propozimin e prokurorisë për leximin e deklaratës së dëshmitarit Blerim Syla të dhënë në polici në korrik 2015, mirëpo në aktgjykim nuk kishte dhënë arsye se pse ishte refuzuar propozimi i mbrojtjes për leximin e kësaj deklarate, duke mos dhënë as arsye ligjore se pse ishte lexuar kjo deklaratë, edhe pse të njëjtën deklaratë sipas Apelit, trupit gjykues e kishte lexuar dhe analizuar dhe të njëjtën e kishte vlerësuar, ku me këtë deklaratë e kishte bazuar edhe aktgjykimin.

Po ashtu, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë në rigjykim duhet t’i eliminojë shkeljet, duhet t’i vlerësojë edhe njëherë dëshmitë dhe  provat e administruara, e më pas duhet të jap arsye të qarta lidhur me dëshminë e dëshmitarit Blerim Syla.

Ndryshe, të mërkurën ishte paraparë që të mbahej seanca e parë pas kthimit të rastit për të tretën herë në rigjykim, mirëpo e njëjta kishte dështuar për shkak se në këtë seancë nuk ishte prezent asnjëra nga palët.

Sipas gjykatësit Kalludra, për prokurorin special Atdhe Dema nuk kishte prova se ishte ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa për të akuzuarin Frangu dhe mbrojtësin e tij avokatin Armend Shkoza ishin ftuar përmes telefonit, mirëpo nuk e kishin arsyetuar mungesën.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 23 nëntor 2020, në pra 09:15.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktakuzën ndaj Frangut e kishte ngritur më 25 shkurt 2016, me pretendimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 paragrafi 2 i KPK-së.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurori Faik Halili, Frangu pas marrëveshjes paraprake me Blerim Sylën, më 3 nëntor 2014 përmes aeroportit të Prishtinës kishin shkuar në Turqi, ku nga Stambolli thuhet se kishin shkuar së pari në qytetin turk Hatay, e nga atje në një qytet tjetër të Turqisë afër kufirit të Sirisë, me emrin Rehyanli.

Ata pretendohet se kishin kaluar kufirin nga qyteti i përmendur dhe kishin hyrë në Siri ku iu ishin bashkëngjit organizatës terroriste “ISIS”, ndërsa pas qëndrimit një kohë të gjatë në Siri përmes kufirit në Han të Elezit ishin kthyer në Kosovë. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi