Gjykata konfirmon aktakuzën ndaj zyrtarëve të Komunës së Drenasit

Gjykata konfirmon aktakuzën ndaj zyrtarëve të Komunës së Drenasit

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar aktakuzën e cila për veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, janë duke u ngarkuar zyrtarët e Komunës së Drenasit Xhafer Ramaj dhe Shefshet Morina.

Xhafer Ramaj, po akuzohet se këtë vepër e ka kryer në cilësinë e shefit të sektorit të gjeodezisë, kurse Shefshet Morina në atë të shefit në sektorin e Kadastrit në Komunën e Drenasit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimin për konfirmimin e aktakuzës, kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj-Hyseni, e mori pasi ajo kishte pranuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të aktakuzës nga ana e mbrojtjes e po ashtu edhe përgjigjën e prokurores Merrushe Llugiqi, lidhur me këto kërkesa.

Në arsyetimin e shkurtër të saj, Hasaj-Hyseni, tha se në këtë fazë, aktakuza ka ofruar prova të mjaftueshme për të kaluar në fazën e shqyrtimit gjyqësor.

Ky vendim më pas u bë i formës së prerë, pasi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, vendosën që ndaj këtij vendimi të mos bëhet ankesë në Gjykatën e Apelit dhe në këtë mënyrë u mundësua që të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor, i cili u caktua më 27 tetor në ora 13:00.

Ndryshe, para se gjykatësja Hasaj-Hyseni, të merr këtë vendim, gjatë seancës së të mërkurës, mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Ramajt, avokati Ramë Dreshaj, tha se prokuroria në aktakuzën e ngritur nuk e ka bërë individualizimin e veprimeve të të akuzuarve sepse në bazë të ligjit, janë të specifikuara përgjegjësitë e gjeodetit, por edhe të organeve të tjera.

Ndërsa edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shefqet Morina, avokati Ilir Ramaj, u shpreh se gjykata duhet ta hudh aktakuzën e prokurorisë, pa kaluar në fazën e shqyrtimit gjyqësor.

Ndërkaq prokurorja Merrushe Llugiqi, tha se aktakuza e prokurorisë është e mbështetur në prova, të cilat do ta vërtetojnë përgjegjësinë e të akuzuarve në shqyrtimin gjyqësor.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 24 gusht 2020, i pandehuri Xhafer Ramaj, në pozitën shef i sektorit të gjeodezisë dhe i pandehuri Shefshet Morina, në pozitë të shefit në sektorin e Kadastrit në Komunën e Drenasit, në cilësinë e personave zyrtare kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar e kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Këtë thuhet se e kanë bërë në atë mënyrë që në periudhën kohore prej vitit 2010 e deri në vitin 2018, në vazhdimësi, me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore nga kultura arë apo livadh në tokë ndërtimore, nuk kanë respektuar asnjë procedurë ligjore, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin nr. 02/L-26 për Tokat Bujqësore, si dhe në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ nr.41/2006 për Ndërrimin e Destinimit të Tokave Bujqësore.

Tutje, thuhet se me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave, edhe pse paraprakisht nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal, pëlqim nga ministria apo pëlqim urbanistik, varësisht nga kategoria apo klasi i tokës, të pandehurit në kundërshtim me ligjet e lartcekura dhe udhëzimin administrativ, kanë bërë ndërrim të destinimit të tokave prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore në në 16 zona kadastrale, në komunë të Drenasit, ZK. Zabel i Ulët, ZK. Sankoc, ZK. Karrtoicë e Epërme, ZK. Tërdec, ZK. Polluzhë, ZK. Tërstenik, ZK. Llapushnik, ZK. Gllobar, ZK. Shtrubullovë, ZK. Negroc, ZK. Nekoc, ZK. Komoran, ZK. Gllogoc, ZK. Arllat, ZK. Qikatovë e Vjetër dhe ZK. Qikatovë, në sipërfaqe  të përgjithshme prej 25.55.51 hektar.

Sipas prokurorisë, me rastin e ndërrimit të destinimeve të tokave nga ajo bujqësore në atë tokësore, nuk është kompensimi për ndërrim, me ç’rast Komuna e Drenasit është dëmtuar në shumë prej 231,689.00 euro. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi