Nedved: Përballen dy më të mirët e globit
Në Nion të Zvicrës u hodh shorti i Champions League dhe ajo që bëri bujë ishte fakti se fati vendosi në të njëjtin grup, Juventusin e Barcelonën, pra Messin e Ronaldon.
Në lidhje me këtë përballje, por edhe me Ferenvaros e Dinamo Kiev ka folur zëvendëspresidenti i Juventusit, Pavel Nedved.
“Do të jetë një ndeshje e madhe ndaj Barcelonës dhe një takim shumë interesant, sepse lejon përballjen e dy më të mirëve të botës, Messit e Ronaldos. Së bashku me këtë, ne do kemi gjithashtu mundësinë të shohim përballjen e Pjanic dhe Artur (ndërruan klubet këtë verë), kështu që është një tjetër ndeshje brenda ndeshjes”.
“Dinamo Kiev është një ekip shumë solid me një trajner me shumë përvojë si Mircea Lucesku, i cili bëri historinë me Shaktar Donjetsk. Nëse do luanim atje në dimër (Ukrainë), kjo do e bënte akoma më të vështirë përballjen ndaj tyre”.
“Hungarezët janë disi më të panjohur, jo kundërshtarët e zakonshëm që ne shohim zakonisht në Champions League. Duke njohur futbollin hungarez, Ferencvaroh padyshim do të jenë një skuadër me shumë talent. Jemi në Champions League dhe çdo ekip të shkakton probleme”, u shpreh ish-fituesi i Topit të Artë.























