Nedved: Do të përballën dy më të mirët e botës, s’do të jetë lehtë për ne
Juventusi dhe Barcelona janë përfshirë në Grupin G të Ligës së Kampionëve për sezonin 2020/2021 të garës më të madhe evropiane për klube.
Derisa shorti deshi që në Grupin G të jenë së bashku Juventusi me Barcelonën si dhe Dynamo Kiev e Ferencvaros. Dhe natyrisht që kryetemë e menjëhershme mediave sportive është përballja e drejtpërdrejtë e dy yjeve më të mëdha të futbollit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi.
Pas rivalitetit të madh disavjeçar në La Liga, te Real Madridi dhe Barcelona, tash konkurrimi është bartur në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Dy superyjet e futbollit modern janë njëherësh edhe golashënuesit më të mirë në këtë garë. Ronaldo udhëheq me 130 gola, kurse pas tij ndodhet Messi me 115 gola të shënuar.
Ndërsa nëse përfshihen edhe garat tjera të UEFA-s, atëherë portugezi ka në total 133 gola në garat evropiane, kurse argjentinasi 118 sosh.
Legjenda e Juventusit, Pavel Nedved i cili tani është nënkryetar i bordit të Juventusit ka folur për përballjen e dy ikonave të futbollit.
“Ndeshja me Barcelonën do të jetë një sfidë e madhe dhe magjepsëse, pasi do të jenë përballë ata që për mua janë dy lojtarët më të mirë në botë, Ronaldo dhe Messi”, u shpreh Nedved.
Tutje legjenda çeke ka folur edhe për dy kundërshtarët tjerë të grupit, si Dinamo Kiev dhe Ferencvaros.
“Dinamo Kiev është një skuadër solide me një trajner ekspert si Lucescu dhe nëse do të duhet të shkojmë në Ukrainë në dimër, do të jetë shumë e vështirë për ne. Sa i përket Ferencvaros është një skuadër që nuk e njohim mirë, por duke njohur futbollin hungarez do të kenë patjetër shumë talent. Duhet të bëjmë kujdes pasi është Liga e Kampionëve dhe çdo skuadër mund të na vë në vështirësi”, përfundoi legjenda çeke e Juventusit.























