Numan Baliq nuk e pranon fajësinë për sulm seksual

Numan Baliq nuk e pranon fajësinë për sulm seksual

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-zëvendësministër në Qeverinë Haradinaj, Numan Baliq, u deklarua i pafajshëm për veprën penale “sulm seksual”.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ardiana Veseli, i akuzuari Baliq nuk e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Shaqë Curri e njoftoi atë dhe mbrojtësen e tij, avokaten Aurora Mulhaxha, lidhur me të drejtën për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës, në afat prej 30 ditësh.

Pas kësaj, avokatja Mulhaxha kërkoi që klientit të saj t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me ndonjë masë tjetër, për të cilin propozim prokurorja Veseli deklaroi se ia lë në vlerësim gjykatës për të vendosur.

Deklarim të njëjtë me atë të prokurores pati edhe mbrojtësi i viktimave, Demë Hasanaj.

Kurse i akuzuari Baliq tha se e mbështetë fjalën e mbrojtëses së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kam qenë që 55 dite pa faj në paraburgim, e ky është një montazh. Është një vendim i drejtë nëse unë mbrohem ne liri, se jam i pafajshëm, apo eventualisht të me caktohet ndonjë masë tjetër”, deklaroi Baliq.

Lidhur me këtë, gjykatësi Curri deklaroi se do të vendosë me shkrim, për çka palët do të njoftohen me kohë.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar të mbahet me 11 nëntor 2020, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Numan Baliq akuzohet se me 12  gusht 2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor, duke keqpërdor gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, përderisa e njëjta, në natën kritike, duke qenë nënë dhe shoqëruese e fëmijës 6 muajsh, ishte e hospitalizuar në dhomën numër 5, në repartin e ortopedisë në spitalin e lartcekur.

Në bazë të këtij dispozitivi, përderisa foshnja e viktimës ishte duke u trajtuar për shkak të dëmtimeve në ekstremitete, aty vjen i pandehuri i cili në cilësi të mjekut /kirurg kujdestar, edhe pse nuk punon në atë repart, shkon kinse për ta vizituar foshnjën e viktimës dhe më pas del dhe e fton të dëmtuarën që të shkojë në zyrën e kujdestarisë së tij, për tu konsultuar dhe kinse për udhëzuar dhe për t’ia siguruar aparaturën e nevojshme, ku e dëmtuara duke mos e njohur por duke e pa të veshur me uniformë mjekësore, shkon pas tij dhe sapo afrohet tek dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri e kap për dore të djathtë dhe e fut brenda viktimën, e mbyll derën me çelës dhe e ndal rrymën si dhe e mbështet të dëmtuarën tek muri ku më pas i kërkon asaj ta prek dhe tenton ta puthë në qafë duke i thënë “a ki nevojë për diçka”, por viktima largohet, ndërsa i pandehuri e kap përsëri dhe e shtrëngon në dorë, pastaj e dëmtuara arrin ta shtyjë nga vetja, ta hap derën dhe të largohet, me ç’ rast kthehet në dhomën numër 5 dhe nga dritarja kërkon ndihmë tek roja e sigurimit, ku më pas e raporton rastin në Polici.

Andaj për këto veprime, Numan Baliq akuzohet për veprën penale “sulmi seksual”, nga neni 229, paragrafi 3, nën paragrafi 3.10, pika 3.10.3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi