“Maqedoni e Veriut-Kosovë, shanse të barabarta për të fituar”
Maqedonia dhe Kosova kanë shanse të barabarta për të fituar në ndeshjen e të enjtes, konsideron Blagoja Georgievski, gazetar i sportit te gazeta maqedonase “Sloboden pecat”.
“Nëse shikojmë renditjen e FIFA-s, Maqedonia është favoritja për të fituar. Por, kjo është ndeshje kaq e veçantë për të dy ekipet, të cilat për mendimin tim kanë cilësi të barabarta. Kështu që unë do të thoja shanset janë 50-50. Të dy skuadrat janë shumë të motivuara dhe do të japin më të mirën e tyre. Disa nga ekspertët tanë të futbollit mendojnë se Maqedonia është favorite. Gjoko Hadzievski, ish-trajneri i kombëtares, dhe Aleksandar Vasoski, trajneri i FK Vardar, në intervista të ndara deklaruan se Maqedonia është favorit”, është shprehur Georgievski.
Sipas tij, fryma e lartë kolektive, kimia e ekipit dhe fakti që futbollistët luajnë së bashku për një periudhë të gjatë dhe e njohin shumë mirë njëri-tjetrin është element shumë i rëndësishëm i ekipit maqedonas. “Ne nuk kemi lojtarë superyje në nivelin evropian, por të gjithë lojtarët luajnë jashtë, disa prej tyre në kampionatet më të mira në Evropë. Gjithashtu shumë prej tyre kanë role të rëndësishme në klubet e tyre. Padyshim që kjo skuadër ka kualitetin për t'u kualifikuar në Evropian”, ka thënë Georgievski.
Sipas tij, ndërsa ndeshja Maqedoni - Kosovë afrohet, ka më shumë interes për ekipin e Kosovës në mediat maqedonase.
“Lista e lojtarëve të Kosovës është publikuar dhe komentuar në shumë media. Dilema do të jetë Rashica dhe Muriqi në ekip, që tërhoqi vëmendjen. Rezultatet e ekipit të Kosovës janë botuar këtu, si dhe lajmet për lojtarë të rëndësishëm të ekipit”, është shprehur Georgievski.
Sipas tij, ndeshja Maqedoni-Kosovë dallon krejtësisht nga ndeshja e mëparshme e zhvilluar në kuadër të garave të klubeve evropiane mes Dritës dhe Sileksit.
“Mendoj se dy ndeshjet janë shumë të ndryshme për shkak të domethënies së tyre. Sileks-Drita ishte një garë klubesh. Nuk po them se është e parëndësishme, por është larg nga rëndësia e ndeshjes Maqedoni-Kosovë, e cila është garë e ekipeve kombëtare. Në vendin tim, ekziston një perceptim se ndeshja Maqedoni - Kosovë është më e rëndësishmja në historinë e ekipit tonë kombëtar. Ne e quajmë atë ndeshje historike. Duke ndjekur mediat e Kosovës mendoj se ekziston i njëjti perceptim i kësaj ndeshjeje edhe në Kosovë. Ekziston një arsye e qartë. Mund të na çojë drejt pjesëmarrjes në kampionatin evropian. Ekipi ynë kombëtar A nuk ka qenë kurrë më parë atje”, ka thënë Georgievski. 
Sipas tij, cilado skuadër që fiton, Maqedonia apo Kosova, ajo do të ketë shans real për të fituar finalen. “Por në këtë moment jo shumë njerëz këtu mendojnë për duelin Gjeorgji-Bjellorusi. Ne të gjithë mendojme për ndeshjen Maqedoni – Kosovë”, ka thënë ai.























