Japin dorëheqje tre anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Japin dorëheqje tre anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Tre anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Dëshirë Jusaj, Zejnullah Gashi dhe Arben Ismajli, kanë dhënë dorëheqje nga ky Këshill.

Një gjë e tillë u bë e ditur të enjten, gjatë mbledhjes që KPK është duke mbajtur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me dorëheqjet në fjalë, pati një diskutim të shkurtë mes kryesuesit të KPK-së, Bahri Hsyeni dhe anëtarëve të Këshillit.

Prokurorja Merita Bina-Rugova tha se do të ishte mirë të diskutojnë lidhur me këto dorëheqje, pasi pikat tjera të rendit ditës do të jenë për shqyrtimin e draft-rregulloreve të Këshillit.

Lidhur me këtë, Hyseni tha se anëtarët që kanë ofruar dorëheqjen, të njëjtën e kanë bërë bazuar në ligj dhe se kjo dorëheqje hyn në fuqi 30 ditë nga dita se kur është paralajmëruar.

“Njoftimi paraprak prej 30 ditë vetëm i jep mundësi institucionit që të plotësoj vendet brenda kësaj periudhë, pasi nëse brenda 30 ditë nuk kemi anëtarë të rinj, nuk do të mund të mblidheshim”, tha Hyseni.

Ndërsa, kryeprokurori Aleksandër Lumezi tha se dorëheqja është akt moral dhe personal dhe se nuk çka të diskutojnë lidhur me të.

Mbledhja e KPK-së është duke vazhduar me pikat tjera të rendit të ditës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi