Dështon të nis gjykimi ndaj hetuesve policorë të akuzuar për korrupsion

Dështon të nis gjykimi ndaj hetuesve policorë të akuzuar për korrupsion

Ka dështuar sërish të mbahet shqyrtimi fillestar në rastin e dy hetuesve të Policisë së Kosovës, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, që po akuzohen për korrupsion.

Osmani e Menxhiqi po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për marrje ryshfeti, kurse Menxhiqi po akuzohet edhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca që ishte paraparë të mbahej këtë të premte në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u shty për shkak të mungesës së të akuzuarit Menxhiqi.

Gjyqtarja e këtij rasti, Shpresa Hasaj-Hyseni, tha se para fillimit të seancës, ka pranuar një raport nga Stacioni Policor në Vushtrri, në të cilin thuhet se i akuzuari Menxhiqi, nga 8 shtatori 2020 nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Për këtë arsye, gjyqtarja tha se nuk ka mundësi të vazhdohet me seancën fillestare, andaj, e njëjta u shty për 30 tetor 2020, ora 13:10. Ndërsa i pranishëm në seancë, ishte i akuzuari tjetër në këtë rast, Lavdim Osmani.

Ndryshe, është kjo hera e tretë me radhë që po dështon të mbahet seanca fillestare në këtë rast.

Paraprakisht, edhe seancat e caktuara të mbahen më 17 gusht dhe 28 shtator kishin të dështuar të mbahen për shkak të mungesës së të akuzuarit Menxhiqi.

Në aktin akuzues  të përpiluar me 30 qershor 2020, thuhet se Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e personave zyrtarë – hetues në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin pranuar ryshfet që të  mos veprojnë, në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare.

Siç përshkruhet në aktakuzë, të akuzuarit paraprakisht janë takuar në kafiterinë  “Central” me D.H dhe kanë arritur marrëveshje, që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit, ku posa kanë dalë nga kafiteria dhe kanë shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, janë takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të D.H, me ç’rast së bashku kanë arritur marrëveshje që të akuzuarit nuk do të ndërmarrin veprime hetimore ndaj lojërave të fatit dhe kanë premtuar bashkëpunim të kundërligjshëm në të ardhmen, në këmbim të marrjes së ryshfetit, edhe pse kanë qenë në dijeni se lojërat e fatit kanë qenë të ndaluara me ligj.

Tutje në aktakuzë thuhet se me 26 nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, të akuzuarit Osmani dhe Menxhiqi pranojnë ryshfet që të mos veprojnë, në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që paraprakisht i akuzuari Menxhiqi e organizon takimin duke i kërkuar të akuzuarit Osmani që të takohet me D.H., ku sipas instruksioneve të marra nga i akuzuari Menxhiqi, i akuzuari Osmani takohet me Driton Berishën dhe D.H në lokalin “Central”, derisa me veturë e dërgojnë tek banesa e tij, Driton Berisha ia jep 3,000 euro në formë ryshfeti të akuzuarit Osmani, me qëllim që të mos pengojnë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës,  ky ryshfet ndahet në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1,250 euro dhe 500 euro ia dërgojnë kolegut të tyre Faton Zabergja për një rast tragjik që i kishte ndodhur.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit me veprën penale të kryer në bashkëkryerje “marrje ryshfeti”, nga neni 421, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Tutje sipas akuzës, Lavdim Osmani akuzohet se me 9 janar 2020, rreth orës 18:00, në Prishtinë, në rrugën C, në cilësinë e personit zyrtar – hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pranon ryshfet që mos veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani, në restorant “Marigona” afër QMI-së ia dorëzon dëshmitarit bashkëpunues D.H, paratë në vlerë prej 3,000 euro, ky i fundit niset me veturë menjëherë dhe vazhdon për në Prishtinë, lagje Mati 1, në rrugën C, ku i pandehuri ishte duke e pritur, hynë në veturë dhe nga D.H i merr paratë në vlerë prej 3,000 euro.

Për këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Tutje, me 5 shkurt 2020, Lavdim Osmani akuzohet se rreth orës 17:30, në Prishtinë, në rrugën C, Mati 1, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet që mos të veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që nën masat e simulimit të  veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia dorëzon paratë prej 3,000 euro D.H, pastaj ky i fundit niset menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i ndërron, ndërsa një pjesë të parave në vlerë prej 1,300 euro ia dorëzon të pandehurit Lavdim Osmani dhe të tjerat i ndal për vete, e pasi i pandehuri Lavdim del nga vetura menjëherë arrestohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij gjenden paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.

Për këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Tutje, i pandehuri Lutfi Menxhiqi akuzohet se me 4 dhjetor 2019, ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, ashtu që pasi ishin marr vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, afër kafiterisë “Central”, me dëshmitarin Driton Berishën dhe D.H, për t’i njoftuar për aksionet e policisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i dërgon informata dëshmitarin bashkëpunues D.H me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që me 4 dhjetor 2019, D.H e thërret në telefon të pandehurin dhe i kërkon informata nëse ka filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit, vetëm pas pak kohës në orën 21:23, i pandehuri nga telefoni i tij personal, përmes rrjetit “Viber”, i dërgon mesazh D.H duke e njoftuar se policia ka filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar:” D po dal vet, po kqyri se st i fushë Kosovës pom doket paska hi s ju kishin dhan kompetencë edhe stacioneve mo me hi në do reste tani i dorëzojnë te na, po unë po nisna menjëherë po kqyri qka ka”, e krejt kjo edhe pse i pandehuri e dinte se lojërat e fatit ishin të ndalura me ligj.

Për këtë akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje, thuhet se Menxhiqi, me 5 shkurt 2020, në orën 22:40, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë,  në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm, në atë mënyrë që gjatë kontrollit sipas urdhër kontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, te i pandehuri janë gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, numër serik 0462-89 dhe numër serik 85NU2414, me dy karikatorë dhe të gjitha janë konfiskuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Për këtë akuzohet për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në aktakuzë, prokurori ka propozuar që të pandehurve tu ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike pas mbajtjes së dënimit me burgim, për shkak se veprat penale për të cilat akuzohen përfshihen në kapitullin XXXIII.

Prokuroria ka propozuar që të konfiskohen 9,000 euro të gjetura në shtëpinë e të pandehurit Menxhiqi dhe ato të gjetura në xhepin e Lavdim Osmanit në vlerë prej 1,300.00 euro gjatë arrestimit. Sipas prokurorisë, këto para janë përdorur për ryshfet dhe përbëjnë dobi pasurore të fituar nga kryerja e veprave penale të korrupsionit, sepse të pandehurit kanë pranuar ryshfet disa herë nga të dëmtuarit.

Gjithashtu, ka propozuar që të konfiskohen paratë e dëshmitarit bashkëpunues, D.H në vlerë prej 4,339,43 euro dhe 48-.00 FR, që janë sekuestruar gjatë  arrestimit të tij dhe të pandehurit Lavdin Osmani në vendin e ngjarjes në flagrancë. Sipas prokurorisë, duke qenë se D.H ka qenë i pandehur, mirëpo më vonë me urdhër të Gjykatës ka marrë cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues, propozohet që paratë të konfiskohen, edhe pse i njëjti nuk është i pandehur tani për shkak se ka bazë të mjaftueshme që vërteton se i njëjti gjatë pranimit dhe dorëzimit të ryshfetit paratë e veta personale i ka ndërruar me paratë  të cilat kanë qenë të destinuara për ryshfet, me qëllim që me të pandehurin ta kenë më të lehtë pranimin e ryshfetit, që mos mund të përcjellën kartëmonedhat në bazë të masave të stimulimit.

Sipas prokurorisë, për këtë me nenin 281 ka paraparë se edhe pse procedura penale nuk përfundon me aktgjykim me të cilën i akuzuari shpallet fajtor, (ku në këtë rast Kodi i Procedurës Penale i referohet Kodit Penal të Kosovës që ka qenë në fuqi në atë kohë, mirëpo me Kodin e ri Penal i miratuar me 13 dhjetor 2018, i referohej nenit 422), sendet e fituara me vepër penale nga neni 429 ntë KPRK-së, e që ka të bëjë me dhënien e ryshfetit, të konfiskohen. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi