FT: Maqedonia e Veriut ka humbur çerekun e popullatës
Në tekstin me titull “Maqedonia përballet me sfidën demografike”, gazeta londineze “Financial Times” shkruan se anëtarja më e re e NATO-s, Maqedonia e Veriut, sipas disa statistikave, ndoshta ka humbur ¼ e popullatës së saj, kur si vend i vetëm në paqe u nda me Jugosllavinë në vitin 1991.
Gazeta citon Presidentin Stevo Pendarovski, sipas të cilit, rënia e popullatës është sfida më e madhe ballkanike. “Me regjistrimin e vitin 2002 në vend janë regjistruar thuajse 2.1 milionë njerëz.
Analizat e regjistrave të të lindurve dhe të vdekurve, si dhe bazat e të dhënave tatimore e të tjera, kanë detyruar shumë ekspertë të konkludojnë se popullsia reale aktualisht është afër 1.6 milion – thotë gazeta londineze, duke transmetuar qëndrimin e presidentit Pendarovski se “trendet janë të qarta dhe se askush nuk parasheh se rënia e popullatës do të ndalet apo do të ngadalësohet”. Gazeta “Financial Times” potencon se sikurse në vendet tjera evropiane, plakja e popullatës mbingarkon financat publike të vendit.
“Maqedonia ka rreth 350.000 pensionistë, kurse subvencionet e fondeve shtetërore pensionale ishin në nivelin prej 4.5% nga BPV-ja e vendit në vitin 2018. Branimir Jovanoviq, një economist nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike dhe ish-këshilltari I Ministrit të Financave, thotë se rënia e popullatës dhe emigrimi zvogëlon edhe numrin e kapitalit njerëzor dhe potencialin afatgjatë për rritje ekonomike”
Gazeta londineze e transmeton edhe deklaratën e Ministres së Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, sipas së cilës, rreth 200.000 bullgarë janë kthyer në vend në Mars të këtij viti, pas përhapjes së pandemisë, transmeton portali Shenja.
Sipas Financial Times, gjëja e parë që duhet të bëhet në Maqedoninë e Veriut, është që të vërtetohet numri i saktë i njerëzve që jetojnë në vend, pas thuajse dy dekadave pasigurie për numrin e popullatës.























