Greqia blindon kufirin, gardh metalik ndaj refugjatëve

Greqia blindon kufirin, gardh metalik ndaj refugjatëve

Greqia është një nga pikat kryesore të hyrjes në Evropë të emigrantëve që arratisen nga vendet e përfshira nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Që nga muaji shkurt e deri në fillim të gushtit, mbi 60 mijë emigrantë ilegalë u ndaluan të hynin në vend nga zona e Evrosit, në kufirin greko-turk.

Greqia ka nisur ndërtimin e një gardhi mbrojtës në kufirin veri-lindor me Turqinë për të shmangur një fluks të ri emigrantësh, sikurse ndodhi në mars të këtij viti.

Projekti ka një buxhet total prej 63 milionë eurosh dhe po ndërtohet nga një konsorcium prej 4 kompanish ndërtimi. Gardhi do të jetë 27 kilometra i gjatë dhe do të ketë 8 pika kontrolli, që do të menaxhohen nga ushtria greke.

Gardhi ekzistues, që u dëmtua në vitin 2015, do të përforcohet me struktura metalike 4.3 metra të gjata, në vend të atyre aktuale që janë vetëm 3.5 metra. Vetë kryeministri Qirjakos Micotaqis do të vizitojë zonën, në rajonin e Evrosit, për të inspektuar nga afër punimet.