Ivica Daçiqi pritet të zgjidhet kryetar i Parlamentit të Serbisë

Ivica Daçiqi pritet të zgjidhet kryetar i Parlamentit të Serbisë

Ministri i Jashtëm i deritashëm i Serbisë, Ivica Daçiq, pritet të udhëheqë me Kuvendin e këtij vendi.

Këtë e ka bërë të ditur të martën mbrëma, presidenti i Serbisë, njëherësh kryetar i partisë fituese të zgjedhjeve të 21 qershorit, asaj Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiq.

“Do të ketë shumë punë për të si kryetar i parlamentit. Vlerësojmë se është e rëndësishme që së bashku të marrim pjesë në diçka që është e mirë për të ardhmen e Serbisë”, ka thënë Vuçiqi.

Kjo pozitë Daçiqit i është dhënë, pasi partia e tij, ajo Socialiste e Serbisë, do të jetë pjesë e kabinetit qeveritar, së bashku edhe me Lidhjen Patriotike Serbe të Aleksandar Shapiqit, që deri më tash ishte në opozitë.

Vuçiqi po ashtu ka njoftuar se emrat e kabinetit qeveritar, që prapë do të udhëhiqet nga Ana Bërnabiqi, do të bëhen të ditur deri më 25 tetor. Ka thënë se do të shtohet një ministri, ajo për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun.