Sami Lushtaku e pranon fajësinë për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj

Sami Lushtaku e pranon fajësinë për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku e ka pranuar fajësinë për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj.

Ndërsa kushëriri i tij, Ibrahim Lushtaku si dhe i akuzuari Xhelal Zeqiri e kanë pranuar fajësinë vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, derisa janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë. Ibrahim Lushtaku nuk e ka pranuar fajësinë as për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë deklarim të tyre, tre të akuzuarit e kanë bërë në shqyrtimin fillestar të mbajtur për këtë rast, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që fillimisht aktakuza ndaj tyre u lexua nga prokurorja Bukurije Gjonbalaj.

Pasi u deklarua se e pranon fajësinë, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, tha se shkrimet e avokatit Gazmend Halilaj ndaj tij kanë qenë tepër të rënda dhe një gjë të tillë, siç tha Lushtaku, avokati e ka bërë pasi që ka dashur të përmirsojë imazhin e vet në rajonin e Drenicës. Kjo, pasi siç tha Lushtaku, në Drenas dhe Skenderaj, Halilaj njihet si shpifës dhe shkelës i ligjit dhe ka një reputacion negativ.

Lushtaku shtoi se ka kërkuar edhe nga policia edhe nga prokuroria që t’i hetojnë të gjitha shpifjet sic tha ai, që avokati Halilaj i ka bërë për të.

Në fund të deklarimit të tij, Lushtaku tha se pasi ka parë shkrimin në rrjete sociale, nuk ka mundur të përmbahet dhe e ka thirrur në telefon Halilajn, për çka tha se ka qenë reagim i momentit.

Me pranimin e fajësisë nga Lushtaku, u pajtua edhe mbrojtësi i tij, avokati Amir Bunjaku. Bunjaku tha se i mbrojturi i tij ka qenë rënd i provokuar dhe viktimë e shpifjeve, duke shtuar se përveç pranimit të fajësisë, si rrethana lehtësuese duhet të merren në këtë rast edhe fakti se i akuzuari që nga fillimi ka bashkëpunuar me organet e hetuesisë.

Po ashtu, edhe prokurorja Gjobalaj tha se pajtohet me pranimin e fajësië nga të akuzuarit duke kërkuar që të njëjtit të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, prokurorja tha se në aktakuzë ka ndodhur një gabim teknik, ashtu që vepra penale në dispozitivin katër, duhet të jetë neni 366 e jo neni 374.

Pranimin e fajësisë e aprovoi pastaj edhe gjyqtarja e këtij rasti, Alltën Murseli.

Pasi që dy të akuzuarit tjerë nuk e pranuan fajësinë për të gjitha veprat penale për çka akuzohen, gjykata vendosi të veçojë procedurën për Sami Lushtakun ashtu që shpallja e aktgjykimit për të u vendos të bëhet të enjten.

Për dy të akuzuarit tjerë, Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri, për veprat penale për të cilat nuk kanë pranuar fajësinë, gjyqtarja i njoftojë se brenda afatit ligjor mund të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Mbrojtësit e të akuzuarve Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri, avokatët Tahir Rrecaj dhe Jeton Maqedonci, i propozuan gjykatës që të mbrojturve të tyre t’u ndërpritet masa e paraburgimit dhe ndaj të njejtëve tu caktohet një ndër masat alternative të sigurisë, në rast se gjykata vlerëson se ekzistojnë ende rrethana që imponojnë një gjë të tillë.

Këtë propozim të avokatëve e kundërshtojë prokurorja Gjonbalaj, ndërsa lidhur me të, gjyqtarja Murseli tha se do të vendosë jashtë seancës.

Ndryshe, avokati Rrecaj tha se ata si mbrojtje nuk janë pajisur nga prokuroria me disa nga provat e rastit, sic janë deklaratat e disa dëshmitarëve, një raport i ekspertimit mjekësisë ligjore, një raporti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe CD e ngjarjes për ditën kritike, për të cilën tha se është e zbrazët.

Lidhur me këto, prokurorja tha se për shkak se provat janë dërguar online, ka mundur që ndonjë nga to të mos dërgohet me kohë, mirëpo, e njëjta tha se do t’ua ofrojë mbrojtjes të gjitha provat që mungojë.

Sipas aktakuzës, Sami Lushtaku po akuzohet për veprën penale të kanosjes kurse Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzohen për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë. Po ashtu, këta të fundit po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ibrahim Lushtaku edhe për asgjësim apo dëmtim të pasurisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sami Lushtaku po akuzohet se pas një shkrimi të të dëmtuarit Gazmend Halilaj, në rrjetin social “Facebook”, të datës 11 prill 2020, në të cilin pretendohej se Sami Lushtaku qëndron prapa keqpërdorimit të 1.4 milion markave gjatë kohës së luftës, ky i fundit e kishte thirrur në telefon Halilajn dhe i ka kërkuar që t’i heqë ato shkrime duke e sharë fyer dhe me qëllim të frikësimit e kishte kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardh me të kall nuk kam me lan”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Me këtë, Sami Lushtaku po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181 par2 të Kodit Penal.

Për këtë vepër penale, dënimi i paraparë është me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Sipas aktakuzës, pasi që avokati Gazmend Halilaj kishte bërë një shkrim në rrjetin social “Facebook”, më 11 prill 2020, kundër Sami Lushtakut, kushëriri i këtij të fundit, Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes dhe në bashkëkryerje edhe me të akuzuarin Zeqiri, më 14 prill 2020, ia kishin zënë pritën Halilajt.

Me të parë Halilajn, vazhdon aktakuza, i akuzuari Ibrahim Lushtaku me dashje që ta privojë nga jeta e ka goditur fuqishëm veturën e të dëmtuarit Halilaj, ashtu që në këtë moment, Halilaj kishte dalë nga vetura dhe kishte filluar të ikë. Sipas aktakuzës, edhe të akuzuarit Lushtaku dhe Zeqiri kishin dalë pastaj nga vetura dhe kishin shtënë me armë në drejtim të Halilajt por nuk kishin arritur ta godasin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me këto veprime, prokuroria i akuzon Ibrahim Lushtakun dhe Xhelal Zeqirin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë.

Për shkak se i kishte shkaktuar dëme në lartësi prej 2,700 euro veturës së të dëmtuarit Halilaj, Ibrahim Lushtaku akuzohet nga prokuroria edhe për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.

Po ashtu, Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen edhe se në kundërshtim me ligjin për armët kanë mbajtur armë pa leje. Lushtaku akuzohet se ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Ekol”, kurse Zeqiri një armë të tipit “Cervena Zastava”.

Me këtë, të dy këta akuzohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi