Mbrohen në heshtje të akuzuarit për rastin e njohur si Fondi 3%

Mbrohen në heshtje të akuzuarit për rastin e njohur si Fondi 3%

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LKD), Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, ish-këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil Bujar Bukoshit, të akuzuar për shmangie nga tatimi dhe shpërdorim, në seancën e së mërkurës janë deklaruar se do të mbrohen në heshtje.

Pas deklarimit të të akuzuarve lidhur me mbrojtjen, prokurori special Atdhe Dema ka kërkuar nga gjykata një afat të arsyeshëm kohor me qëllim të përgatitjes së fjalës përfundimtare, i cili propozim u aprovua nga gjykatësja Medie Bytyçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë kësaj seance ka rifilluar procedura gjyqësore ndaj të akuzuarve Osmani e Gashi, pasi që kishin kaluar 3 muaj që nga mbajtja e seancës së fundit dhe me pajtimin e palëve të gjitha provat janë konsideruar të lexuara.

Ndërsa propozim për plotësimin e provave kishte mbrojtësi i të akuzuarit Naser Osmani, avokati Florent Latifaj, i cili i ka dorëzuar gjykatës disa dokumente si prova materiale.

Avokati Latifaj ka deklaruar se me këto prova vërtetohet se ndër të tjera kanë ekzistuar disa fatura për blerjen e disa mallrave si kompjuterë, mjete që janë ndarë për shërimin e tani të ndjerit F.B, autorizime për tërheqjen e mjeteve dhe mbulesën e shpenzimeve të zyrës së UFORK sa i përket karburanteve, telefonin, internetin e të tjera.

“Gjithashtu, e kam edhe një kallëzim penal të paraqitur më 12 dhjetor 2007 në Prokurorinë publike atëherë komunale nga stacioni policor ‘Qendra’ në Prishtinë lidhur me veprën penale vjedhje e rëndë. Pra, në kohën kur janë thyer zyrat e UFORK dhe janë vjedhur dokumentet për të cilat eksperti Qarolli deklaroi se me rastin e përpilimit të ekspertizës të njëjtit i kanë munguar dokumentet e këtyre viteve që korrespondon me kohën se kur është bërë vjedhja me ato zyre”, ka shtuar avokati Latifaj.

Ai më tutje ka thënë se prokuroria e ka patur shumë të lehtë që t’i gjejë këto dokumente duke i kontaktuar këto institucione në mënyrë që t’i sigurojë këto fatura, por që në asnjë moment nuk e ka ndërmarr këtë veprim.

Lidhur me këtë, prokurori Dema është shprehur se ato shkresa nuk janë relevante për çështjen me arsyetimin se janë vendime të nënshkruara nga i akuzuari tjetër, për të cilin, ai ka thënë se dihet në cilën fazë ka ngelur procedura dhe nuk ka të bëjë fare me të mbrojturin e Latifajt, megjithatë ai nuk e ka kundërshtuar propozimin për këto prova.

Gjykatësja Bytyçi ka njoftuar se seanca për dhënien e fjalës përfundimtare do të mbahet më 9 nëntor 2020, duke filluar nga ora 8:30.

Ndryshe, aktakuza ndaj Bukoshit, Osmanit dhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Po në këtë seancë, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej në këtë shqyrtim fillestar.

Më pas, më 26 tetor 2018, gjykatësja Shabani-Rama kishte mbajtur edhe shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarve Osmani dhe Gashi, e të cilët brenda afatit ligjor kishin paraqitur kundërshtimet për provat dhe kishin ushtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Mirëpo, gjykatësja Shabani-Rama, më 3 dhjetor 2018, kishte marrë vendim që të refuzoheshin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Lidhur me këtë, të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, e cila  më 17 janar 2019, kishte refuzuar këto ankesa, duke konfirmuar aktakuzën në fjalë.

Ndërsa, më 18 janar 2019, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses së Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyçi dhe më 13 mars të këtij viti, kjo lëndë nga Apeli, ishte kthyer në zyrën e kësaj gjykatëseje.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 28 prill 2017, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, lidhur me par.31 të KPK-së, kundër Naser Osmani për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së dhe kundër të akuzuarit Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1  të KPK-së.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, shumën prej 90,380,00 euro, ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, paguar për bileta, Ingrid Steiner Gashi, me 26 gusht 2019, që nuk dihet kush është, por jo punëtore e UFORK-ut.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Tutje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi se gjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila u është besuar atyre, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për ta ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi transferuar në xhirollogarinë e OJQ UFORK, në Prishtinë, në BPB shumën prej 154,132,47 euro, i kanë tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e kanë arsyetuar se për çfarë qëllime i kanë shfrytëzuar, duke mos e realizuar asnjë project, e me këtë e kanë dëmtuar buxhetin e Fondit 3% – UFORK-ut, e njëherit edhe bashkatdhetarët e Republikës së Kosovës, në shumë prej 154,132,47 euro.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Bujar Bukoshi, akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2015, në cilësinë e personit përgjegjës, Kryetar i Bordit të “UFORK-ut” dhe si i punësuar aty, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave të cilat ka qenë i obliguar që ti deklaroj në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe shuma e shmangies nga i akuzuari është 39,932,04 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Në dispozitivin e katërt, Naser Osmani akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në ATK, si pasojë është dëmtuar buxheti i ATK-së – Republikës së Kosovës, me 3510 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Naser Osmani se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave, dhe të hyrave të tjera, i njejti ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në Administratën Tatimore të Kosovës, shumë e shmangies nga i akuzuari është 2667.30 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Po ashtu, Prokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.

Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi-Kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjell vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, ashtu që kanë tërhequr shumën prej 154, 132,47 euro në kesh, nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi