Mjeku i Lazios sqaron situatën e krijuar prej COVID-19
BKT
Sport

Mjeku i Lazios sqaron situatën e krijuar prej COVID-19

Skuadra e Lazios po përballet me një situatë shumë të çuditshme dhe mendohet se në radhët e saj ka shpërthyer një vatër e mirëfilltë e COVID-19.

Valë infektimesh që mund të ketë përfshirë edhe Thomas Strakoshën, i zhdukur nga lista e të grumbulluarve për ndeshjen e kampionatit dhe të Ligës së Kampioneve.

Vetë mjeku i Lazios, Fabio Rodia, ka deklaruar në “Lazio Style Channel” se situata për momentin është shumë e paqartë dhe mes kësaj paqartësie, klubi ka vendosur që të marrë masat më të rrepta të mundshme.

“Sipas protokollit të UEFA-s, skuadra iu nënshtrua tamponëve para ndeshjes së Ligës së Kampioneve. Në tamponët e të premtes u verifikuan disa probleme. Pavarësisht kësaj, klubi ka vendosur në izolim këto raste në shtëpitë ë tyre, për të bërë pastaj verifikime të tjera dhe për të qartësuar situatën.

Ne mbrojtëm veten dhe nëpunësit tanë. Do të bëjmë kontrolle të tjera dhe do të qartësojmë situatën. Thjesht vendosëm që të izolonim të gjithë ata që kishin shfaqur këto probleme. Ata që u nisën për Belgjikë mund të luajnë të gjithë”, tha mjeku italian.

Dyshohet se një pjesë e lojtarëve që munguan janë pozitiv ndaj COVID-19, ndërsa pjesës tjetër, ku përfshihet edhe Strakosha, i janë bërë testime që kanë rezultuar “jo-konkluzive” ndaj nuk dihet ende nëse janë pozitiv apo jo.