Raiola mbërrin në Milano, negociohet rinovimi i kontratës së De Vrij
Stefan De Vrij iu bashkua Interit në verën e 2018-ës, pasi u largua me parametra zero nga Lazio, ndërsa që atëherë është shndërruar në një titullar fiks të skuadrës zikaltër, si me Spallettin, ashtu edhe me Conten në bankinë.
Qendërmbrojtësi holandez ka një kontratë të vlefshme deri në verën e 2023-shit me zikaltrit, nga e cila përfiton një pagë prej 4 milionë eurosh neto në sezon, megjithatë drejtuesit e Interit janë gati t’i zgjatin bashkëpunimin edhe për dy vite të tjera.
Pikërisht për këtë arsye në Milano ka mbërritur pasditen e sotme menaxheri i 28-vjeçarit, Mino Raiola, i cili pritet të diskutojë me drejtuesit e Interit për kontratën e re të mbrojtësit, që parashikon edhe një përmirësim të pagës.
Kështu ideja e zikaltërve është një rritje e pagës nga 4 në 5 milionë euro në sezon, plus bonuset mbi paraqitjet, me kushtin që mbrojtësi të firmosë një kontratë të re me vlefshmëri deri në verën e 2025-ës.
Në këtë mënyrë zikaltrit do të blindonin mbrojtjen edhe për 5 sezonet e ardhshme, pasi kanë tashmë kontrata afatgjata edhe me Skriniar e Bastoni, dy lojtarë të tjerë të qendrës, që gjithashtu janë të rinj në moshë dhe gati të kontribuojnë edhe për shumë vite.























