Dështon të mbahet seanca e Apelit në rastin e Ilir Tolajt dhe të tjerëve

Dështon të mbahet seanca e Apelit në rastin e Ilir Tolajt dhe të tjerëve

Ka dështuar të mbahet seanca në Gjykatën e Apelit në rastin ku ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj dhe pesë zyrtarë të tjerë po akuzohen për korrupsion.

Kjo seancë ishte caktuar të mbahet, pasi që paraprakisht, Gjykata Supreme e kishte anuluar aktgjykimin e Apelit, e cila të akuzuarit Tolaj,  Zenel Kuçi, Bekim Fusha, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzije Thaqi, i kishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak i dështimit të seancës së paraparë të mbahej këtë të mërkurë, u bë një kërkesë për shtyrje të seancës që ishte bërë nga mbrojtësi i Tolajt, avokati Besnik Berisha.

Siç tha gjyqtari raportues për këtë rast, Abdullah Ahmeti, nga avokati Berisha kanë pranuar një kërkesë për shtyrje të seancës së Apelit pasi sipas tij, Berisha veç kishte pasur më herët të caktuar një seancë në Gjykatën Themelore në Prizren.

Po ashtu, gjyqtari bëri të ditur se as të akuzuarit Tolaj nuk i kishte shkuar më rregull ftesa për seancën e së mërkurës.

Për këtë arsye, kolegji i Apelit vendosi që seancën ta shtyj për 25 nëntor 2020.

Ndryshe, të pranishëm në seancë nga të akuzuarit ishin vetëm të akuzuarat Remzije Thaqi dhe Valentina Haxhiaj, si dhe mbrojtësit e të akuzuarve, Ramë Gashi, Kujtim Kërveshi dhe Naser Sopjani. Ndërsa, nuk prezantuan askush nga Prokuroria e Apelit dhe Ministria e Shëndetësisë, si palë e dëmtuar.

Në këtë seancë ishte paraparë të shqyrtohej ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ushtuar ndaj aktgjykimit të shkallës së parë si dhe përgjigjet e të akuzuarve në këtë ankesë. Për dallim nga hera e kaluar, kur kolegji i Apelit përbëhej nga gjyqtarët, Kreshnik Radoniqi, Tonka Berishaj dhe Burim Ademi, tash në rivendosje, kolegji i Apelit përbehet nga gjyqtarët, Driton Muharremi, Abdullah Ahmeti dhe Vaton Durguti.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2018, i kishte shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajn, Zenel Kuçin, Bekim Fushën, Valentina Haxhijajn, Florije Tahirin dhe Remzije Thaqin.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, e kishte aprovuar pjesërisht pastaj ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës se Kosovës, duke e dënuar të akuzuarin Ilir Tolaj me tre vjet burg efektiv për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Po ashtu, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Apeli e kishte dënuar me dy vjet e katër muaj burgim edhe të akuzuarin Bekim Fusha, ndërsa me dy vjet e tetë muaj burgim e kishte dënuar të akuzuarin Zenel Kuqi.

Gjithashtu, shkalla e dytë i kishte dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht, në një periudhë verifikimi prej një vjetësh, edhe të akuzuarit tjerë për keqpërdorim të pozitës zyrtare në këtë rast, Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzije Thaqin.

Mirëpo, ky aktgjykim i Apelit ishte anuluar nga Gjykata Supreme e cila rastin e kishte kthyer në rivendosje në Apel.

Sipas Gjykatës Supreme, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale sipas dispozitës së nenit 384 par.1 nënpar.1.12 të KPPK-së, përkatësisht nenit 370 par.7 të KPPK-së, meqë gjykata e shkallës së dytë nuk ka dhënë arsyetim ligjor me rastin e zgjidhjes së çështjeve juridike dhe veçanërisht me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarve.

“Gjykata Supreme e Kosovës, me kujdes ka vlerësuar arsyetimin e paraqitur nga këndvështrimi i gjykatës së shkallës së dytë dhe nuk e aprovon arsyetimin e kësaj gjykate përkitazi me vlerësimin e ekspertizave të ekspertëve të angazhuar. Në rastin konkret rezulton se janë angazhuar dy ekspertë të prokurimit dhe atë eksperti A.Sh. i angazhuar nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe eksperti B.M. i angazhuar nga ana e të akuzuarit I.T.. Përkundër faktit se ekspertizat kishin kundërthënie mes tyre megjithatë gjykata nuk ka mundur që të anashkalon mendimet e ekspertëve dhe të jap vlerësimin e saj përkitazi me çështjet e ekspertizave të administruara si prova.” – thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Sipas vlerësimit të Supremes, edhe pse Apeli ka pasur diskrecion të plotë në vlerësimin e provave të administruara dhe ekspertizave në fjalë, e njëjta gjykatë ka qenë dashur të eliminojë paqartësitë e dy ekspertizave.

Po ashtu, sipas Supremes, në arsyetimin e aktgjykimit nuk është përshkruar aspekti i bashkëkryerjes, përkatësisht se si është manifestuar bashkëkryerja, cili nga të akuzuarit kishte rolin primar dhe cili rolin sekondar në kryerjen e veprës penale apo më konkretisht të theksohet roli thelbësor dhe kontributi i secilit të akuzuar siç përcakton dispozita e nenit 31 të KPRK-së.

“Arsyetimin e gjykatës së shkallës së dytë e vlerëson si të paqartë dhe të pamjaftueshëm Gjykata Supreme e Kosovës dhe atë: së pari për faktin se aspekti i bashkëkryerjes nuk është definuar mjaftueshëm, pastaj fakti se me asnjë provë konkrete nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë pasur qëllim të përbashkët dëmtimin e MSh, për më tepër, vet fakti se tek secili i akuzuar janë gjetur shkelje që i atribuohen secilit veç e veç (siç përshkruhet në dispozitiv të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë) e vë në pikëpyetje bashkëkryerjen mes tyre dhe kontributin e secilit nga të akuzuarit, meqë tek secili i akuzuar ndërlidhen lëshimet e bëra mirëpo nuk është arritur që të lidhen veprimet e secilit nga ta që shpiejnë në qëllimin e përbashkët të tyre për shkaktimin e demit” – thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Sipas Supremes, ka mbetur e paqartë dhe e pa definuar se cila ka qenë mënyra e përcaktimit të dëmit të shkaktuar përkatësisht përfitimit të operatorit ekonomik “KMI” në shumë prej 400.000 € si dhe fakti se Apeli nuk ka qartësuar faktin se të akuzuarit a kanë vepruar me veprim apo mosveprim.

Sipas vlerësimit të Supremes, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së dytë ka mangësi në definimin e dashjes përkatësisht qëllimit të të akuzuarve për kryerjen e kësaj vepre penale e cila në fakt paraqet elementin konstituiv të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së dhe në këtë aspekt vazhdon aktgjykimi i Supremes, vërehet se arsyetimi i theksuara në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë është mjaft i ngushtë dhe sipërfaqësor përkundër faktit se vepra penale në fjalë kryhet vetëm me dashje direkte.

“Gjykata Supreme e Kosovës nuk e akcepton arsyetimin e gjykatës së shkallës së dytë përkitazi me arsyetimin e dhënë se çdo shkelje e detyrës zyrtare nënkupton edhe konsumimin e 28 kësaj vepre penale por duhet patjetër që veprimet që manifestohen në shkeljen e detyrës zyrtare të manifestohen përmes vërtetimit të dashjes së drejtpërdrejtë të të akuzuarve.” – thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Në rigjykim, Supremja e udhëzon Apelin që duhet të veproj në pajtim me vërejtjet e dhëna në këtë aktgjykim dhe të administroj provat ekzistuese e sipas nevojës edhe prova tjera e pas kësaj të marr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo juridike.

“Konkretisht gjykata e shkallës së dytë në rigjykim duhet të vlerësoj ekspertizat e ekspertëve të prokurimit A.Sh. dhe B.M. dhe nëse nuk mund ti eliminoj paqartësitë mes ekspertizave, atëherë të ftoj ekspertët në shqyrtim gjyqësor dhe nëse as pas kësaj nuk arrin të eliminoj paqartësitë, atëherë të angazhoj ekspertë tjerë të lëmisë përkatëse dhe posaçërisht në fokus të ketë aspektin e dëmit të shkaktuar përkatësisht përfitimit të shumës prej 400.000 €, përkatësisht të qartësohet se si është ardhur deri te kjo shumë e dëmit të shkaktuar përkatësisht përfitimit të kësaj shume” – përfundon aktgjykimi i Supremes.

Ndryshe, gjykimi në shkallën e parë ndaj Ilir Tolaj dhe të tjerëve kishte zgjatur më shumë se dy vjet, e deri në përfundim të këtij procesi gjyqësor ishin ndërruar tre prokurorë.

Prokurori Admir Shala, i cili kishte ngritur aktakuzën ndaj Ilir Tolajt, Zenel Kuqit, Bekim Fushës, Valentina Haxhijaj, Florije Tahirit dhe Remzije Thaqit në fillim të vitit 2017, ishte zgjedhur Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Prizren, andaj lënda e tij kishte kaluar të prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami.

Shumë shqyrtime kishin dështuar të mbahen me kërkesë të prokurorit, e të palëve, derisa në fund prokurorja Florije Shamolli kishte marr përfaqësimin e aktakuzës së ngritur nga prokurori Shala.

Ndryshe, ky rast ishte një nga rastet e shënjëstruara për liberalizim të vizave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të akuzuarit Ilir Tolaj, në cilësinë e sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, akuzohen se kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Lleshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë  euro.  Prokuroria pretendon se të lartpërmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro.

Në anën tjetër, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri akuzohen se si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave. Me këtë në vazhdimësi Haxhijaj, Thaçi e Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, Zenel Kuqi po akuzohet po ashtu se  në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove..

Në aktakuzën e njëjtë ishin të përfshirë edhe dy biznesmenët Arion Lleshi dhe Shpend Agani, mirëpo të dy kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin special. Si rrjedhojë, gjykata kishte shpallur fajtor dy biznesmenët, duke i dënuar me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1000 euro gjobë. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të njëjtit po ashtu obligohen që t’i kthejnë shtetit dëmin e shkaktuar prej 400 mijë eurove.

Sipas prokurorisë, Lleshi dhe Agani, akuzoheshin se kanë bërë paraqitje të rreme apo kanë fshehur fakte, gjë kjo e cila ka rezultuar në dëmtimin e buxhetit të MSH-së si dhe të njëjtit i janë shmangur pagimit të tatimeve dhe kontributeve të tjera për punëtorë të përcaktuara me ligj. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi