Caktohet paneli për shqyrtimin e ankesës së Gucatit

Caktohet paneli për shqyrtimin e ankesës së Gucatit

Përmes vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara, është bërë e ditur se kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar përbërjen e panelit të Gjykatës së Apelit për të vendosur lidhur me apelin e mbrojtjes së Hysni Gucatit lidhur me arrestin dhe paraburgimin e tij.

Në këtë vendim thuhet se më 27 tetor 2020, gjykatësi paraprak ka refuzuar mocionin e Gucatit, ku kishte kërkuar caktimin e një gjyqtari të ri për të vendosur lidhur me kundërshtimet që ka paraqitur kundër paraburgimit të tij, një urdhër për zbulimin e gjithë materialit dhe provave relevante apo fakteve që ka në dispozicion Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ankesën lidhur me ligjshmërinë e urdhër arrestit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, gjykatësi i procedurës paraprake bëhet e ditur se ka refuzuar edhe kërkesën e tij për dorëzani.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, bëhen të ditur se në panel të Apelit ka caktuar gjykatësit Michele Picard, Emilio Gatti dhe Kai Ambos.

Ndryshe, Hysni Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më 1 tetor, ai është paraqitur para gjykatësit paraprak të Dhomave të Specializuara, ku mbrojtja e Hysni Gucatit, kishte kërkuar lirim me kusht dhe kishte ofruar garanci prej 5 mijë eurosh, përderisa prokuroria kishte pretenduar se nuk kanë pushuar arsyet e mbajtjes në paraburgim të tij dhe ka njoftuar se brenda 30 ditësh do të dorëzoi aktakuzën në gjykatë.

Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi