Gola prej lideri Atalantës dhe Realit, Lautaro i vërtetë është rikthyer
Diçka shpëton, përtej statistikave. Në gotën gjysmë plot të Interit që mungoi sërish në takimin me fitoren dallohet goli i dytë radhazi i Lautaro Martinezit, i rikthyer lider në momentin e nevojës.
Pa Lukakun, Conte kishte nevojë për përgjigje konkrete nga “Demi” mes Madridit dhe Bergamos: argjentinasi është përgjigjur gati. Me dy manovra prej bomberi zone, të vështira dhe spektakolare, ku Lautaro ka shpalosur pjesën më të mirë të repertorit të tij si sulmues: goditjen me kthesë.
I RIKTHYER – Lautaro nuk është një gjigant, por psikologjikisht është superior kundrejt shumë kolegëve fizikisht më prezentë, si vetë Lukaku për shembull. Dhe aftësia për të goditur fluturimthi me të dyja këmbët është një dhunti e shtuar me vlerë të madhe.
Në dyshe me Romelun ka më shumë liri, duke konsideruar edhe aftësinë në shfrytëzimin e hapësirave që Lukaku i krijon me lëvizjet e vazhdueshme apo me dyluftimet trup më trup. Ndërsa kundër Realit dhe Atalantës, Lautaros i është dashur të bëjë repart thuajse i vetëm, por testin e kaloi.
Edhe të dielën, pavarësisht një shqetësimi të ndier në nxehmje që rrezikoi ta heqë nga fusha pak minuta përpara startit. Kthesa me kokë është manifestim i tempizmit, koordinimit dhe sensit të golit. Tani e pret Argjentina dhe Konte uron që, përtej aspektit fizik, ta rigjejë të rikarikuar në nivel emotive, siç i ndodh shpesh amerikanojugorëve në kthimin në “shtëpi”.
RINOVIMI – Nëntori duhet të ishte muaji i kthesës për Lautaron dhe rruga e nisur është e duhura. Është rikthyer goli, sigurisht, por mbi të gjitha kanë nisur kontaktet e para mes Interit dhe përfaqësuesit të tij për rinovimin e kontratës: dëshira e të gjithëve është të arrijnë shpejt një marrëveshje. Akordi aktual skadon në vitin 2023 dhe i garanton argjentinasit diçka më shumë se dy milionë euro neto në sezon.
Akordi i ri (pesëvjeçar) do të kalojë dyfishin por do të nevojitet mbi të gjitha edhe për të riparë klauzolën e largimit të fiksuar në 111 milionë, e pagueshme brenda javës së parë të korrikut. Verën e kaluar, në krizë të plotë karantine, asnjë klub nuk mund t’i lejonte vetes atë shpenzim.
Megjithatë, lista e të interesuarve përfshin shumë klube që në të ardhmen do të mund të provojnë të afrohen me klauzolën. Heqja apo rritja e mëtejshme do të dekurajonte të interesuarit dhe do të bashkonte akoma më shumë Lautaron me të ardhmen e klubit, sipas dëshirës së Zhang: presidenti kërkon “Demin” si imazh të Interit.























